Përditësuar (14:49) - Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka thënë të mërkurën se SHBA-ja ka ndërprerë mbështetjen e inteligjencës dhe dërgesat e armëve në Ukrainë pas përplasjes në Zyrën Ovale midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump të premten e kaluar.
“Trump kishte një pyetje të vërtetë nëse presidenti Zelensky ishte i përkushtuar ndaj procesit të paqes dhe ai tha të ndalojmë”, ka deklaruar Ratcliffe për Fox Business në një intervistë të mërkurën.
Ratcliffe ka shprehur shpresën se pauza do të hiqet së shpejti dhe theksoi angazhimin e tij për të punuar me Ukrainën drejt arritjes së paqes, pas një letre nga presidenti ukrainas drejtuar Trumpit.
“Dhe unë mendoj se ne do të punojmë krah për krah me Ukrainën pasi duhet të zmbrapsim agresionin që është atje, ta vendosim botën në një pozicion më të mirë që këto negociata paqeje të ecin përpara”, ka shtuar drejtori i CIA-s.
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan ka thënë se SHBA-ja tashmë ka kufizuar disa ndarje të inteligjencës, duke përfshirë kryerjen e më pak fluturimeve të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit që mund të ndikojnë si në operacionet sulmuese ashtu edhe ato mbrojtëse, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, pasi Ukraina varet nga inteligjenca amerikane për mbikëqyrje.
SHBA-ja ndalon ndihmën e inteligjencës për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar ndihmën e inteligjencës së saj për Kievin në një lëvizje që mund të dëmtojë seriozisht aftësinë e ushtrisë ukrainase për të sulmuar forcat ruse, ka raportuar “The Financial Times” të mërkurën, duke cituar zyrtarë të familjarizuar me këtë çështje.
Dokumenti ka përmendur se vendimi ka ardhur pasi SHBA-ja ka suspenduar ndihmën ushtarake për Ukrainën në fillim të javës.
Kjo mund të ndikojë në aftësitë e Ukrainës për t’u përballur me sulmet ruse.
SHBA-ja ka ndalur ndihmën ushtarake pas përplasjes së presidenti Donald Trump pati me homologun ukrainas Vlodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Që atëherë, Zelensky ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi në Zyrën Ovale dhe është shprehur i gatshëm të negociojë për marrëveshjen e paqes - diçka që është mirëpritur nga Trumpi.