Botë

SHBA-ja ndali furnizimin me bomba për Izraelin pas shqetësimeve për Rafah

Bomba e Izraelit

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar dërgimin e bombave për Izraelin pas shqetësimeve se do ta kryejë një operacion të madh tokësor në Rafah, jug të Gazës, ka njoftuar një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Dërgimi përfshinte 1800 bomba 907-kilomgramëshe dhe 1700 bomba të tjera më të vogla, ka thënë zyrtari për “CBS News”.

Izraeli “ende s’i ka adresuar plotësisht” shqetësimet e SHBA-së për nevojat humanitare për civilët në Rafah, ka thënë ai.

“Qëndrimi i SHBA-së ka qenë që Izraeli nuk duhet të nisë një operacion të madh tokësor në Rafah, ku më shumë se një milion persona po strehohen e s’kanë nga t’ia mbajnë”, ka thënë zyrtari i administratës amerikane.

Izraeli nuk e ka komentuar raportimin.

Gjatë natës, Izraeli ka vazhduar sulmet në Rripin e Gazës, pak pasi forcat izraelite morën nën kontroll kufirin me Egjiptin në Rafah.

Bombardimet e Izraelit kanë qenë intensive përreth këtij rajonit. Sipas mediave lokale, shtatë anëtarë të një familjeje janë vrarë në një sulm të vetëm.

Rafah ka qenë pikë kyçe për ndihmat dhe e vetmja rrugëdalje për njerëzit që kanë ikur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi në tetor.

Të hënën, ushtria izraelite urdhëroi dhjetëra mijëra civilë të nisin evakuimin nga Rafah.

Në ndërkohë, po vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.