Negociuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë duke shtyrë Kievin për t’iu dhënë qasje në mineralet e rralla duke rritur mundësinë që të ndalojnë qasjen e Ukrainës në sistemin e internetit satelitor “Starlink” të Elon Muskut, kanë deklaruar tre burime për “Reuters”.
Qasja e vazhdueshme e Ukrainës në “Starlinkun” e SpaceX-it, është sjellë në diskutime në mes zyrtarëve ukrainas dhe të SHBA-së pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, ka refuzuar propozimin e parë të Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent.
Starlink ofron lidhje jetike interneti për Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe ushtrinë e saj.
Sipas burimeve, kjo çështje ishte ngritur në takimin e Zelenskyt me të dërguarin special të presidentit Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg. Gjatë takimit Ukrainës i ishte thënë se do të kishte ndalje të menjëhershme të qasjes në shërbim nëse nuk arrin një marrëveshje në mineralet kritike.
“Ukraina funksionon përmes Starlinkut, ata e konsiderojnë atë Yllin Verior të tyre, humbja e Starlinkut... do të ishte në goditje e madhe”, ka deklaruar një burim.
Zelensky ka refuzuar kërkesën e administratës së Donald Trumpit për 500 miliardë dollarë vlerë në minerale të rralla nga Ukraina për të paguar ndihmën e marrë gjatë luftës, duke deklaruara se SHBA-ja nuk ka ofruar garanci specifike të sigurisë.
Presidenti i Ukrainës ka deklaruar se ekipet nga Ukraina dhe SHBA-ja janë duke punuar në marrëveshjen dhe Trump ka deklaruar se një marrëveshje do të nënshkruhet shpejtë.
Pas shkatërrimit të rrjetit të komunikimit nga Rusia pas fillimit të pushtimit në shkurt të 2022-tës, Musku kishte nisur mijëra terminale të “Starlinkut” për t’i zëvendësuar humbjet,. I vlerësuar si një hero në Ukrainë, Musk më vonë e kufizoi qasjen të paktën një herë në vjeshtën e vitit 2022, kur filloi të jetë më kritik ndaj mënyrës se si Kievi po e menaxhonte luftën.
Melinda Haring nga Atlantic Council ka deklaruar se “Starlinku” ishte esencial për operimin e dronëve nga Ukraina, një shtyllë kyçe e strategjisë ushtarake.
“Humbja e Starlinku do të ndryshonte lojën”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se tani Ukraina ishte 1:1 me Rusinë tani në terme të përdorimit të dronëve dhe të predhave të artilerisë.
Ukraina ka lloje të shumta të kapaciteteve në drona, që nga drona detarë dhe drona zbulimi në pajisje ajrore autonome me rreze të gjatë veprimi.
Vjeshtën e kaluar, Ukraina ka qarkulluar idenë e mineraleve të rralla si investim nga aleatët. Kjo ishte pjesë e “planit të fitores” me qëllimin që të vendosë atë në pozicion më të fortë për bisedime dhe të detyrojë Moskën në bisedime.
Trumpi e ka vlerësuar idenë, duke deklaruar se Ukraina dëshiron të furnizoj SHBA-në me minerale të rralla dhe minerale të tjera në këmbim të mbështetjes për luftë.
Zelenksy ka refuzuar propozimin e detajuar të SHBA-së javën e kaluar që do të kishte parë Washingtonin dhe kompanitë e SHBA-së të marrin 50% të mineraleve të rralla të Ukrainës, që përfshinë grafitin, uraniumin, titaniumin dhe litiumin.
Që atëherë ka filluar një ndarje në mes liderëve, me Trumpin duke e quajtur Zelenksyn “diktator” të mërkurën pasi Zelenksy deklaroi se Trumpi ishte në një flluskë keqinformimi ruse, si përgjigje ndaj sugjerimit të Trumpit se Ukraina ka filluar luftën.