Botë

SHBA-ja mohon pretendimet e Putinit se Perëndimi organizoi kaosin në aeroportin e Dagestanit

SHBA-ja i ka mohuar dhe i ka quajtur “absurde” pretendimet e Rusisë se trazirat anti-Izrael në aeroportin e Dagestanit të dielën i organizoi Ukraina dhe Perëndimi, raporton BBC.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se incidenti ishte pjesë e një tentimi për të “shpërndarë kaos” në Rusi.

Qindra persona kanë vërshuar aeroportin në Makhachkala të dielën para aterimit të një aeroplani nga Tel Avivi izraelit.

Shumë prej tyre mbanin flamuj palestinez dhe bënin thirrje anti-semitike.

Dagestani ka popullatë shumicë myslimane dhe incidenti besohet se ka ndodhur si rrjedhojë i zemërimit mbi konfliktin në Gaza.

Mbi 60 persona janë arrestuar.

“Ngjarjet në Makhachkala natën e kaluar u nxitën nëpërmjet rrjeteve sociale, nga Ukraina, e nga duart e agjentëve të shërbimeve speciale perëndimore. Është elita qeverisëse aktuale e SHBA-së dhe satelitët e tyre që përfitojnë kryesisht nga stabiliteti botëror”, ka thënë Puin në Këshillin e Sigurisë të Rusisë.

I pyetur për deklaratat, John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA, i ka quajtur “retorika klasike ruse”.

“Kur diçka shkon keq në vendin tënd, atëherë fajëson dikë tjetër. Perëndimi nuk ka asgjë të bëjë me këtë”, ka thënë Kirby.