Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka zgjeruar sanksionet për vepra korruptive, duke përfshirë së fundmi edhe anëtarin serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Në njoftim thuhet se sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me Dodikun.
Sipas njoftimit, aksioni i sotëm bazohet në angazhimin e administratës Biden për të promovuar llogaridhënien për ata që, ndër të tjera, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve të gjata të paqes.
“Dodik ka minuar institucionet e Bosnjë-Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore, dhe duke vënë në lëvizje krijimin e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska (RS) të Bosnjë-Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozicionin e tij zyrtar në Boshnje për të grumbulluar pasuri personale nëpërmjet ryshfetit, dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij përçarëse etno-nacionaliste pasqyron përpjekjet e tij për të çuar përpara këto synime politike dhe për të shkëputur vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Në mënyrë kumulative, këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të BiH dhe minojnë Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit, duke rrezikuar kështu jostabilitetin më të gjerë rajonal”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit.
”Aktivitetet korruptive destabilizuese të Milorad Dodikut dhe përpjekjet për të çmontuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të gjithë rajonit”, ka thënë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken pati njoftuar vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.
Blinken ka reaguar në Twitter pas njoftimit, duke thënë se SHBA-ja është e përkushtuar në një të ardhme të ndritur për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Departamenti i Shtetit dhe Thesari Amerikan publikisht kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Bosnje e Hercegovinës për korrupsion dhe sjellje destabilizuese. ShBA-ja mbetet e përkushtuar në angazhimin për një të ardhme më të ndritur për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës”, ka shkruar Blinken.
SHBA-ja fut në listë të zezë edhe zyrtarë të tjerë nga Bosnja
Departamenti i Shtetit ka ndërmarrë veprime edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke i futur në listë të zezë për shkak të përfshirjes në korrupsion.
Ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës, Milan Tegeltija, dhe presidenti i i Lëvizjes për Veprim Demokratik, Mirsad Kukiq. Sipas komunikatës së departamentit, me veprimet e tyre ata “minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucione demokratike dhe proceset publike të qeverisë së tyre”.
Dhe përveç tyre, SHBA-ja e futi në listë të zezë edhe gruan e Tegeltijas, Tijana Tegeltija.