Botë

SHBA-ja kërkon parandalimin e përshkallëzimit Izrael-Hezbollah

SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin përshkallëzimin mes Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë kufirit, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se Washingtoni do t’i diskutojë “idetë konkrete” me aleatët dhe partnerët për ta parandaluar zgjerimin e luftës.

Izraeli ka nisur një sulm ajror kundër Hezbollahut të hënën, duke vrarë 492 njerëz dhe duke i shtyrë të zhvendosen qindra mijëra të tjerë në ditën më vdekjeprurëse në Liban, sipas autoriteteve.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se sulmet e fundit ndaj Hezbollahut në Liban janë bërë për t’i detyruar grupet e mbështetura nga Irani ta pranojnë një zgjidhje diplomatike. Por zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, që ka folur në anonimitet, e ka kundërshtuar këtë qëndrim të Izraelit, duke thënë se administrata e presidentit Joe Biden është fokusuar në “uljen e tensioneve.... dhe ndalimin e ciklit të sulmit dhe kundërsulmit”.

“Nuk mund ta kujtoj, një periudhë në të cilën përshkallëzimi ose intensifikimi ka çuar në depërshkallëzim dhe ka çuar në stabilizim të situatës”, ka thënë ai.

Konflikti në kufirin verior të Izraelit me Libanin është fokusi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara këtë javë. Washingtoni ka “ide konkrete” për ta parandaluar luftën e gjerë dhe kërkon “rrugë të shpejtë” për t’i qetësuar tensionet, ka thënë zyrtari.

“Është evolucion i këtyre diskutimeve në të cilat ne po përpiqemi të përdorim disa hapa praktikë dhe konkretë që kanë shanse të mira për reduktimin e tensioneve dhe në fund të shohim pak sukses”, ka thënë zyrtari. “Padyshim që nuk besojmë se pushtimi tokësor i Libanit do të kontribuojë në uljen e tensioneve në rajon”, ka thënë ai, kur është pyetur nëse Washingtoni beson se Izraeli është duke u përgatitur për pushtim tokësor të Libanit.