Botë

SHBA-ja “injoron” Evropën

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka theksuar në Konferencën e Sigurisë në Munih nevojën që Evropa ta krijojë një ushtri të sajën. Si një prej arsyeve për këtë, ai e ka përmendur mundësinë që Shtetet e Bashkuara, me Donald Trumpin si president, t’i thonë jo Evropës në rastet kur siguria e saj kërcënohet. E emisari i posaçëm i Trumpit për çështjet Ukrainë–Rusi ka thënë se Evropa s’do të jetë në tavolinën e negociatave. Ndërkohë me administratën e re amerikane, në Munih u mor edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, ka thënë se është i nevojshëm krijimi i forcave të armatosura të Evropës, teksa ka shtuar që lufta e shtetit të tij kundër Rusisë ka dëshmuar që një bazë për këtë veçse ekziston.

Tek ka folur në kuadër të ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë në Munih, Zelensky ka thënë se Evropa nuk mund ta përjashtojë mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i thonë jo në rastet kur siguria e saj kërcohet.

“Le të jemi të ndershëm, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që Amerika mund t’i thotë jo Evropës në çështjet që e kërcënojnë atë. Shumë, shumë liderë kanë folur rreth asaj se Evropës i nevojitet një ushtri e saj, një ushtri e Evropës. Dhe unë përnjëmend besoj se koha për këtë ka ardhur. Forcat e armatosura të Evropës duhet të krijohen”, ka thënë Zelensky

Ai ka thënë se lufta trevjeçare në Ukrainë ka demonstruar se baza për forcat e armatosura evropiane veçse ekziston. Presidenti ukrainas ka thënë po ashtu se ka marrë fund koha kur Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Evropën. E pa mbështetjen nga SHBA-ja, ai ka theksuar se Ukraina, me gjithë prodhimin e shtuar të armëve, ka pak gjasa që të mbijetojë. Zelensky ka paralajmëruar Evropën që të mos braktiset në tavolinën e negociatave nga Trumpi.

“Disa ditë më parë, presidenti Trump më tregoi mua për bisedën e tij me Putinin. Asnjëherë nuk e përmendi se Amerikës i nevojitet Evropa në tavolinë. Kjo flet shumë. Ditët e vjetra kanë përfunduar – kur Amerika e përkrahte Evropën vetëm se e kishte përkrahur gjithmonë. Dhe rregulli i njëjtë duhet të aplikohet për të gjithë Evropën. Asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën. Asnjë vendim për Evropën pa Evropën”, ka shtuar ai.

Me disa vende evropiane që ballafaqohen me rrezikun e elektorateve gjithnjë e më shumë euroskeptike, idetë e Zelenskyt për integrimin e mëtutjeshëm janë vështirë të realizueshme, por komentet e tij mund të ngjallin diskutime më të detajuara në Evropë rreth rolit ushtarak që evropianët mund të luajnë në Ukrainë, duke përfshirë vendosjen e trupave në terren për të garantuar armëpushimin.

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i ka bërë thirrje Evropës që të angazhohet me Trumpin, dhe të mos besojë kurrsesi se ai është duke i braktisur ata ose Ukrainën. Ai ka thënë se “ne jemi një familje” duke shtuar se amerikanët kanë të drejtë kur thonë se evropianët s’po shpenzojnë mjaftueshëm. Ai pret që NATO-ja të miratojë një objektiv të ri shpenzimesh në maj, që duhet të arrihet pas katër ose pesë vjetësh, dhe një objektiv të mundshëm për shpenzimet e mbrojtjes, të vendosur mbi 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Objektivi aktual prej 2 për qind nuk është i mjaftueshëm, ka thënë Rutte.

Përjashtimi i Evropës nga negociatat

Keith Kellog, emisari i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar të shtunën se Evropa do të konsultohet, por nuk do të jetë pjesë e bisedimeve trepalëshe të paqes ndërmjet Rusisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës.

“Miqve të mi evropianë, do t'u thosha: futuni në debat, jo duke u ankuar nëse mund të jeni, po apo jo, në tryezë, por duke sjellë propozime dhe ide konkrete”, ka thënë ai në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.

Kellog ka thënë se një nga arsyet se pse marrëveshjet e mëparshme të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë kishin dështuar ishte se shumë shtete ishin të pranishme në tryezë, por nuk kishin aftësinë për të menaxhuar procesin e paqes.

“Ne nuk do të shkojmë në atë rrugë”, ka shtuar ai.

Deklaratat e Kellogut pritet të shtojnë zemërimin në radhët e disa liderëve evropianë, të cilët nuk i besojnë Trumpit dhe konsiderojnë se siguria e vendit të tyre është e ndërlidhur me fatin e Ukrainës. Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, ka thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka ftuar liderët evropianë të mblidhen në Paris të shtunën, për të diskutuar në lidhje me situatën.

Liderët evropianë, të shokuar nga fjalimi konfrontues i nënpresidentit amerikan, JD Vance, të premten në Munih, po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar për qasjen e Trumpit ndaj marrëveshjes së paqes për Ukrainën dhe kanë frikë se mund të arrihet një marrëveshje që është e favorshme për SHBA-në, mirëpo jo për Ukrainën dhe Evropën në planin afatgjatë.

“Evropës i duhet urgjentisht një plan i veprimit sa i përket Ukrainës dhe sigurisë tonë, përndryshe lojtarët e tjerë globalë do të vendosin për të ardhmen tonë. Jo domosdoshmërisht në vijë me interesat tona... Ky plan duhet të përgatitet tani. S’kemi kohë për të humbur”, ka thënë kryeministri polak Donald Tusk në rrjete sociale.

Kellog ka thënë se çështjet kritike janë që të sigurohet se lufta nuk do të nisë përsëri dhe të përcaktohet se si Ukraina do ta ruante sovranitetin e saj. Ai ka thënë se kjo do të kërkonte garanci të besueshme për sigurinë, duke shtuar se presidenti Trump, si vendimmarrësi i vetëm në SHBA, ende nuk është në pozicion për të ofruar një garanci të tillë.

Ai ka shtuar po ashtu se “Trumpit do t’i duhej një gamë e gjerë opsionesh” dhe se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”. Një çështje kyçe për t’u pajtuar është arritja e marrëveshjes se si do të trajtohen shkeljet e armëpushimit, ka thënë ai.

Në prapavijën e bisedimeve me Trumpin, Zelensky gjithashtu po përpiqet të parandalojë një përpjekje nga ana e Trumpit për të vendosur nën kontroll 50 për qind të mineraleve të rralla të Ukrainës. Ai e refuzoi ofertën pasi marrëveshja e diktuar nga SHBA-ja nuk përmbante angazhimet e pritura për të ofruar garanci sigurie në rast të armëpushimit. Kur u pyet rreth marrëveshjes për mineralet e rralla në Munih, Zelensky ka thënë se bisedimet po vazhdojnë. Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i ofroi Zelenskyt marrëveshjen gjatë një vizite në Kiev të mërkurën, pasi presidenti Trump sugjeroi që SHBA-së i duheshin afërsisht gjysmë trilioni dollarë të pasurive të Ukrainës në këmbim të ndihmës për vendin e shkatërruar nga lufta.

Zelensky po kërkon çdo mundësi për të lidhur SHBA-në me garanci afatgjata të sigurisë për Ukrainën, që do ta mbronin vendin nga kërcënimet e mëtejshme ruse në rast armëpushimi, por është i vetëdijshëm se një pozicion i dobët negociator, mund të shfrytëzohet nga Trumpi për të përpiluar kërkesa që do të jenë të vështira për t'u kundërshtuar.

Reagimi i kancelarit gjerman

E me Shtetet e Bashkuara është marrë të shtunën në Munih edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Teksa i është referuar deklaratës së zëvendëspresidentit, JD Vance, që tha se Evropa, më shumë se nga Rusia e Kina, kërcënohet prej brenda dhe po bie në kundërshtim me vlerat e saja themelore, Scholz i ka bërë thirrje që ai të mos ndërhyjë në demokracinë evropiane.

“Nuk do të pranojmë që njerëzit, të cilët e shikojnë Gjermaninë prej jashtë të intervenojnë në demokracinë dhe në zgjedhjet tona si dhe në procesin e formimit të mendimit demokratik, në interes të kësaj pale. Kjo gjë thjesht nuk bëhet, sidomos jo mes miqve e aleatëve. E kundërshtojmë këtë me vendosmëri. Se ku shkon demokracia jonë, është çështje jona për ta vendosur”, ka deklaruar Scholz.

Komenti i Scholzit e pason deklaratën që Vance e ka bërë të premten, pas takimit që e pati me udhëheqësen e partisë së ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë”, Alice Weidel, në kuadër të vizitës së tij në Munih.

Gjermania do të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 23 shkurt dhe në sondazhet më të fundit del se AfD-ja e gëzon mbështetjen e dytë më të madhe në nivel vendi, para partisë së Scholzit.