Qeveria amerikane ia ka ndaluar personelit qeveritar amerikan në Kinë, si dhe anëtarëve të familjes, çdo lloj marrëdhënie romantike ose seksuale me qytetarët kinezë, ka raportuar Associated Press.
Katër burime i kanë thënë AP-së për këtë vendim, i cili hyri në fuqi pak para se të largohej nga Kina ambasadori i SHBA-së, Nicholas Burns. Personat kanë folur në kushte anonimiteti për çështjen konfidenciale.
Edhe pse disa agjenci amerikane veçse kanë rregulla strikte për marrëdhënie të tilla, një politikë e tillë ka qenë e padëgjuar publikisht që nga Lufta e Ftohtë. Nuk është e pazakontë për diplomatët amerikanë në shtete të tjera të kenë lidhje romantike me banorë lokalë e madje të martohen.
Një version i politikës u bë verën e kaluar, që ndalonte personelin amerikan nga “marrëdhëniet romantike dhe seksuale” me qytetarët kinezë që punonin si roje apo staf mbështetës në Ambasadën e SHBA-së dhe pesë konsullata në Kinë. Por, Burns e zgjeroi atë politikë në një ndalim të plotë të marrëdhënieve të tilla me kinezët në Kinë që nga janari, disa ditë pasi presidenti Donald Trump mori detyrën.
I vetmi përjashtim nga kjo politikë është për personelin amerikan që veçse kanë pasur lidhje romantike me qytetarë kinezë para se të merrej ky vendim. Ata duhet të aplikojnë për t’u përjashtuar nga vendimi, e nëse ajo u mohohet ata duhet ta ndërpresin marrëdhënien ose ta lënë punën. Kushdo që shkel politikën do të urdhërohet të largohet nga Kina menjëherë.
Kjo politikë i është komunikuar personelit amerikan në Kinë edhe përmes emaileve, por nuk është bërë njoftim publik.