Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të ftojnë Armeninë dhe Azerbajxhanin në samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington në korrik, ka njoftuar të enjten media azerbajxhane “Turan”.
Si Azerbajxhani ashtu edhe Armenia, të cilët kanë qenë prej kohësh armiq gjeopolitikë të NATO-s, por mes të cilëve ka ndërmjetësuar Rusia, deri më tani nuk kanë kërkuar drejtpërdrejt anëtarësimin në aleancën ushtarake.
Samiti i NATO-s mund të lehtësojë bisedimet dypalëshe mbi procesin e vazhdueshëm të paqes midis dy vendeve dhe është “mundësi e mrekullueshme që nuk duhet humbur”, ka raportuar “Turan” me burime.
Njoftimi erdhi pak para vizitës së ndihmës-sekretarit të Shtetit të SHBA-së, James O'Brien në Baku, që do të jetë udhëtimi i tij i tretë në Kaukazin e Jugut në dy muaj.
“Ne jemi shumë të qartë me (presidentin azerbajxhan Ilham) Aliyev se kjo është koha për të arritur paqen”, ka thënë O’Brien para Senatit amerikan.
Azerbajxhani nisi ofensivë të suksesshme në shtator të vitit 2023 për të rimarrë rajonin e Nagorno-Karabakhut, i cili banohej nga armenë etnikë dhe siguria e të cilit ishte “ruajtur” nga Rusia për vite me radhë.
Moska zyrtare, megjithatë, duke filluar luftën në Ukrainë, i la Armeninë dhe Azerbajxhanin praktikisht të bllokuar dhe menjëherë pasi rusët humbën interesin për atë konflikt, Azerbajxhani dëboi të gjithë armenët nga Nagorno-Karabakhu.
Ajo procedurë u karakterizua nga të gjitha mediat perëndimore si eksod.
Bisedimet e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë vazhduar që atëherë, por ende nuk kanë arritur pajtim.
Armenia pastaj i ktheu shpinën presidentit rus Vladimir Putin, tek e cila ishte mbështetur prej kohësh si aleati kryesor rajonal. Që atëherë, Armenia ka kërkuar hapur të krijojë partneritete të reja mbrojtëse.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan njoftoi më herët në qershor se Armenia do të tërhiqej nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë ushtarake e përbërë nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Taxhikistani dhe Kirgistani.