Botë

SHBA-ja ia jep afat Izraelit 30 ditë që ta përmirësojë situatën në Gaza

Joe Biden, Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Administrata Biden i ka dërguar një letër qeverisë izraelite duke kërkuar që ajo të veprojë për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza brenda 30 ditëve të ardhshme, ose rrezikon të shkelë ligjet e SHBA-së që rregullojnë ndihmën e huaj ushtarake.

Në letër përmendet që ndihma ushtarake e SHBA-së mund të rrezikohet, raporton CNN.

Letra e së dielës, e shkruar nga sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i drejtohet ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe ministrit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer. Kjo shënon një hap të ri të rëndësishëm nga ana e SHBA-së në përpjekje për të detyruar Izraelin të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Në letrën e tyre thuhet se SHBA-ja ka shqetësime të thella për situatën, teksa kërkojnë “veprime urgjente dhe të qëndrueshme nga qeveria izraelite për ta ndryshuar këtë trajektore.

Që nga kjo pranverë, sasia e ndihmës së dërguar në Gaza ka rënë për më shumë se 50% dhe sasia e dorëzuar në shtator "ishte më e ulëta e çdo muaji gjatë vitit të kaluar", deklaruan ata.

Afati i fundit i bie të jetë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 5 nëntor.

Pavarësisht paralajmërimit të rreptë, SHBA-ja ka vazhduar të ofrojë ndihmë ushtarake për Izraelin, duke përfshirë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore dhe trupat amerikane që filluan të arrijnë atje të hënën.

Letra, e datës 13 tetor, vë në dukje se Departamenti i Shtetit dhe i Mbrojtjes i SHBA-së, sipas ligjit amerikan, "duhet të vlerësojnë vazhdimisht" respektimin e Izraelit ndaj garancive të tij të dhëna në fillim të këtij viti, se nuk do të kufizonte fluksin e ndihmave në enklavë.

Lista e kërkesave të SHBA-së është e gjerë. Izraeli duhet të lejojë të paktën 350 kamionë në ditë të hyjnë në Gaza përmes katër kalimeve kryesore, thuhet në letër, përveç hapjes së një kalimi të pestë.

Izraeli duhet gjithashtu gjatë muajit të ardhshëm të zbatojë pauza humanitare në të gjithë Gazën sipas nevojës për të mundësuar aktivitete humanitare, duke përfshirë vaksinimet dhe shpërndarjen e ndihmave për të paktën katër muajt e ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë gjithashtu që Izraeli të lejojë njerëzit në zonën humanitare Al-Maëasi brenda Gazës të lëvizin në brendësi para dimrit dhe të rrisin sigurinë për autokolonat dhe lëvizjet humanitare.

Izraeli gjithashtu duhet të ndërmarrë veprime për të siguruar që korridoret e forcave të armatosura të Jordanisë të funksionojnë me "kapacitet të plotë dhe të vazhdueshëm".

Operacionet ushtarake të Izraelit në Gazën veriore janë intensifikuar javët e fundit dhe ushtria izraelite u ka bërë thirrje civilëve atje që të evakuohen në jug, ku tashmë janë strehuar më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së paralajmëroi fundjavën e kaluar se operacionet ushtarake izraelite kanë një "ndikim katastrofik" në sigurinë ushqimore për familjet palestineze.