Botë

SHBA-ja i kërkon Katarit që t’ia mbyllë Hamasit zyrën atje

blinken

Hamasi mund të detyrohet ta mbyllë zyrën e tij në Katar, pasi SHBA-ja i tha këtij shteti se lejimi i bazës së grupit militant atje nuk është më i pranueshëm.

Katari, partner kyç i SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka lejuar zyrën politike të Hamasit për më shumë se një dekadë dhe ka pranuar shumë udhëheqës të lartë të organizatës të jetojnë atje, raportoi Reuters.

“Pas refuzimit të vazhdueshëm të propozimeve për lirimin e pengjeve, liderët e Hamasit nuk duhet të mirëpriten më në kryeqytetet e cilitdo partner të Amerikës. E kemi bërë të qartë këtë për Katarin pas refuzimit të Hamasit javë më parë të një propozimi tjetër për lirimin e pengjeve”, i ka thënë një zyrtar Reutersit.

Kritikët kanë thënë se kërkesa e SHBA-së mund ta shtyjë ndikimin e shteteve më armiqësore, si Irani, mbi grupin.

Hamasi ende mban rreth 100 pengje që i pati marrë gjatë sulmit në Izrael tetorin e shkuar. Disa runde negociatash për t’i dhënë fund luftës në Gaza kanë dështuar.

Katari ka qenë ndërmjetësues kyç në bisedimet për armëpushim dhe ka gjasa që të bashkëpunojë me kërkesën e SHBA-së. Sipas zyrtarit, Katari ia ka dorëzuar kërkesën liderëve të Hamasit 10 ditë më parë.

Liderët e Hamasit janë përgatitur për muaj që të largohen nga Katari, me Turqinë dhe Irakun si alternativa të mundshme. Grupi së fundmi hapi një zyrë politike në Bagdad.