Botë

SHBA-ja godet kolonët izraelitë me sanksione për dhunën në Bregun Perëndimor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione një grupi të kolonëve izraelitë të hënën, të akuzuar për ndihmën e kryerjes së dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Reuters

Grupi i kolonëve Amana është “pjesë kryesore e lëvizjes së vendbanimeve ekstremiste izraelite dhe mban lidhjet me persona të sanksionuar më parë nga qeveria amerikane dhe partnerët e saj për ushtrimin e dhunës në Bregun Perëndimor”, ka thënë Departamenti i Thesarit në një deklaratë, ku ka lajmëruar për sanksionet.

Sanksionet gjithashtu shënjestrojnë një degë të Amanas të quajtur Binyanei Bar Amana, e përshkruar nga Thesari si kompani që ndërton dhe shet shtëpi në vendbanimet izraelite dhe ato të paligjshme.

Sanksionet bllokojnë amerikanët nga çdo transaksion me Amanan dhe ia ngrijnë asetet e mbajtura nga SHBA-ja. Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj Amanas.

Dhuna e kolonëve ishte e rritur edhe përpara shpërthimit të luftës së Gazës dhe është përkeqësuar që nga fillimi i konfliktit mbi një vit më parë.

Shumica e vendeve i konsiderojnë vendbanimet të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare, pozicion i kontestuar nga Izraeli, i cili e sheh territorin si mburojë sigurie. Në vitin 2019, administrata e atëhershme Trump e braktisi qëndrimin e gjatë të SHBA-së se vendbanimet janë të paligjshme, përpara se të rivendoseshin nga presidenti, Joe Biden.

Javën e kaluar, gati 90 ligjvënës amerikanë i kërkuan Bidenit të vendosë sanksione ndaj anëtarëve të qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për dhunën anti-palestineze në Bregun Perëndimor.