Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe kryeministri japonez, Fumio Kishida kanë theksuar partneritetin e fortë mes dy vendeve, gjatë një vizite që bëri lideri japonez në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën, raporton “Reuters”.
Vizita është fokusuar në bashkëpunimin e përbashkët në fushën e mbrojtjes.
Samiti që nisi me ceremoninë zyrtare të pritjes në Shtëpinë e Bardhë, do të ndiqet nga një takim me dyer të mbyllura, konferencë e përbashkët shtypi, darkë shtetërore dhe performancë nga muzikanti Paul Simon.
Kishida pritet t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së të enjten dhe më pas do të takohet me presidentin Biden dhe presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., për të diskutuar për inkursionet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
SHBA-ja dhe Japonia kanë arritur rreth 70 marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë përmirësimin e strukturës së komandës ushtarake të SHBA-së në Japoni.
Biden dhe Kishida pritet gjithashtu të njoftojnë hapat e ardhshëm për zhvillimin e përbashkët të pajisjeve ushtarake dhe të mbrojtjes.
Të dy udhëheqësit do të shpallin planet për një mision të përbashkët hapësinor në Hënë si dhe projektet në fushën e inteligjencës artificiale.
Kina po përpiqet të izolojë Japoninë dhe Filipinet. Duke takuar udhëheqësit e këtyre dy vendeve këtë javë në Washington, Bideni po synon “ta përmbysë skenarin dhe ta izolojë Kinën”, është shprehur një zyrtar amerikan.
Vizita mund t’i japë edhe një shtytje politike Kishidës, popullariteti i të cilit është zbehur në vend.
Të enjten, Kishida do të bëhet lideri i dytë japonez që do t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së, pas paraardhësit të tij, Shinzo Abe, i cili mbajti fjalim në vitin 2015.
Japonia ka shprehur shqetësimin e saj se nëse Donald Trump fiton mandat të dytë, do të bëjë marrëveshje me Kinën, duke destabilizuar kështu rajonin.