Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, në një përpjekje për të demonstruar përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe mbrojtjes evropiane, kanë bërë të ditur Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania në një deklaratë të përbashkët të mërkurën.
"Dislokimet episodike" të Shteteve të Bashkuara janë në përgatitje për stacionim afatgjatë të aftësive të tilla që do të përfshijnë SM-6, raketa lundrimi Tomahawk dhe armë zhvillimore hipersonike që kanë një rreze më të madhe se aftësitë aktuale në Evropë, thanë të dy vendet, raportoi Reuters.
Raketat me bazë tokësore me rreze veprimi mbi 500 kilometra u ndaluan deri në vitin 2019 sipas Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, të nënshkruar nga Mikhail Gorbachev i Bashkimit Sovjetik dhe ish-presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan në vitin 1987.
Kjo shënoi herën e parë që dy superfuqitë kishin rënë dakord të reduktonin arsenalin e tyre bërthamor dhe të eliminonin një kategori të tërë armësh.
Duke rënë në linjë me nënshkruesit, Gjermania, Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke shkatërruan raketat e tyre në vitet 1990, për t'u pasuar më vonë nga Sllovakia dhe Bullgaria.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Traktati INF në vitin 2019 duke thënë se Moska po shkelte marrëveshjen, duke përmendur zhvillimin nga Rusia të raketës lundruese 9M729 të nisur nga toka, e njohur në NATO si SSC-8.
Kremlini e mohoi në mënyrë të përsëritur akuzën dhe më pas vendosi një moratorium në zhvillimin e vet të raketave të ndaluara më parë nga traktati INF - raketa balistike me bazë tokësore dhe të lundrimit me rreze veprimi nga 500 km deri në 5,500 km.
Në fund të qershorit, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Moska duhet të rifillojë prodhimin e raketave bërthamore me rreze të mesme dhe më të shkurtër, pasi Shtetet e Bashkuara sollën raketa të ngjashme në Evropë dhe Azi.
Putini ka thënë se Rusia ishte zotuar të mos vendoste raketa të tilla, por se Shtetet e Bashkuara kishin rifilluar prodhimin e tyre, i sollën në Danimarkë për stërvitje dhe gjithashtu i çuan në Filipine.
LEXO EDHE: