SHBA-ja do të dërgojë në Ukrainë një sistem tjetër raketor “Patriot”, kanë thënë dy zyrtarë amerikanë të martën, duke iu përgjigjur thirrjeve të Kievit për më tepër mbrojtje ajrore ndërsa sulmet ruse në rajonin verilindor të Kharkivit po intensifikohen, raporton agjencia “AP”.
Zyrtarët thanë se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka aprovuar këtë lëvizje. Do të jetë sistemi i dytë “Patriot” që SHBA-ja e dërgon në Ukrainë, ndonëse Pentagoni në mënyrë rutinore ka ofruar raketa për sistemin. Aleatët tjerë, përfshirë Gjermania, kanë ofruar po ashtu sisteme të mbrojtjes ajrore si dhe municione.
Dy zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti, pasi vendimi ende nuk është bërë publik. Vendimi është raportuar së pari në “The New York Times”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, muajin e kaluar i bëri thirrje SHBA-së që të ofrojë më tepër sisteme Patriot, duke thënë se do të ndihmojë të mbrohet nga afro 3000 bomba sa po i lanson Rusia çdo muaj.
Duke folur në Madrid, Zelensky tha se Ukrainës i duhen urgjentisht shtatë sisteme tjera për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.