Kongresi në fund të vitit të kaluar udhëzoi drejtorin e inteligjencës kombëtare që të sigurojë “një analizë të hollësishme të të dhënave për fenomenet e paidentifikuara ajrore”. Raporti duhet të bëhej brenda 180 ditësh. Ky afat do të mbarojë në muajin qershor
Një njollë e zezë e kapur nga një distancë e largët në videon e pilotëve të marinës amerikane. Objekti në video duket sikur një motoskaf që kërcen dallgët me një shpejtësi të paparë. “O Zot”, thotë piloti teksa tjetri me habi qesh dhe pyet: “çfarë... është ajo?”.
A është shpend? Aeroplan? Super dron? Apo diçka jashtëtokësore?
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë analiza të shumta të pamjeve të tilla si kjo me këtë objekt fluturues që u kap nga marina amerikane. Një raport përmbledhës i SHBA-së mbi “fenomenet e paidentifikuara ajrore” – të njohura më së miri si UFO – pritet të bëhet publik gjatë qershorit.
Nuk do të ketë demaskim jashtëtokësorësh. Dy zyrtarë që kanë lexuar raportin thonë se nuk kanë gjetur lidhje jashtëtokësore në pamjet e raportuara dhe të kapura në video. Raporti nuk do të përjashtojë lidhjet me ndonjë shtet tjetër, thonë zyrtarët që folën në kushte anonimiteti pasi nuk janë të autorizuar për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Teksa përfundimet e hetimeve janë bërë të ditura, raporti i plotë do të prezantojë pamjen më të gjerë të asaj që di Qeveria rreth jashtëtokësorëve. Thashethemet rreth raportit tregojnë se si një temë që i shkon për shtati trillimeve shkencore dhe një grupi të vogël studiuesish, që nuk merren seriozisht, është përfshirë në agjendën politike të SHBA-së.
Të shqetësuar për kërcënimet e sigurisë kombëtare nga armiqtë e huaj, ligjvënësit amerikanë urdhëruan një hetim të plotë të fenomeneve për të cilat qeveria me dekada të tëra nuk ka pasur qejf t’i diskutojë.
Dyshimet e politikanëve
“Ka gjëra që fluturojnë në hapësirën tonë ajrore”, ka thënë së fundmi senatori republikan, Marco Rubio. Është njëri prej senatorëve të parë që kërkoi hetime për jashtëtokësorët. “Nuk e dimë se çfarë janë. Duhet t’i zbulojmë”, ka shtuar senatori nga Florida.
Kongresi në fund të vitit të kaluar udhëzoi drejtorin e inteligjencës kombëtare që të sigurojë “një analizë të hollësishme të të dhënave për fenomenet e paidentifikuara ajrore”. Raporti duhet të bëhej brenda 180 ditësh. Ky afat do të mbarojë në muajin qershor. Zyra e inteligjencës nuk ka treguar gjatë javës nëse do të bëhet publik raporti i plotë mbi fenomenet e paidentifikuara.
Projektligji i miratuar nga Kongresi i kërkon drejtorit të inteligjencës që të hetojë çdo incident ose model që tregon se armiqtë e mundshëm kanë përparuar aq shumë në teknologjinë hapësinore sa që mund të rrezikojnë forcat strategjike të Shteteve të Bashkuara”.
Shqetësimi kryesor është nëse vendet armiqësore aq shumë kanë përparuar në teknologjinë ajrore sa kanë krijuar edhe forma të çuditshme që kërcënojnë fuqinë më të madhe ushtarake të botës. Mirëpo, kur ligjvënësit flasin rreth kësaj çështjeje, i lënë vetes hapësirë në rast se është diçka tjetër përveç një rivali ushtarak. Nëse këto gjëra janë kozmike.
“Tani për tani ka shumë pyetje pa përgjigje”, ka thënë demokrati Adam Schiff. “Nëse kobët e tjerë kanë aftësi që ne nuk i dimë, atëherë duhet t’i zbulojmë. Nëse ka ndonjë shpjegim tjetër përtej kësaj, atëherë edhe këtë duhet ta mësojmë”.
Të vërtetat për UFO-t
Luiz Elizondo, ish-shef i programit të identifikimit të kërcënimeve hapësinore në Pentagon, nuk beson se këto mjete të paidentifikuara janë shenja të teknologjisë së shteteve të tjera, sepse do të ishte e pamundur të mbahej sekret një teknologji e tillë. Elizondo ka akuzuar Departamentin e Mbrojtjes se ka tentuar ta diskreditojë. Ka thënë se ka shumë informacione që SHBA-ja i ka mbajtur sekret.
“Po jetojmë në një univers të pabesueshëm”, ka thënë Elizondo. “Ekzistojnë të gjitha llojet e hipotezave që sugjerojnë se universi tredimensional në të cilin jetojmë nuk është aq i lehtë për t’u shpjeguar”.
Mirëpo, Michael Shermer, redaktori i revistës “Skeptic”, është skeptik rreth kësaj teme. Historiani i shkencës, analist i rryer i teorive të UFO-ve dhe fenomeneve të tjera, ka thënë të ketë parë shumë imazhe të paqarta të supozimeve të huajve për t’u bindur nga pamjet akoma më të paqarta të videove të shkrepura nga aeroplanët luftarakë. Kjo është një kohë, vëren ai, kur disa miliarda njerëz në të gjithë botën kanë telefona inteligjentë që shkrepin fotografi të çuditshme dhe satelitët ofrojnë pamje të sakta të tokës.
“Më tregoni trupin, anijen ose pamje të kualitetit të lartë në fotografi dhe video. Atëherë do të besoj”, ka thënë Shermer.
Mick West, studiues i shquar i fenomeneve të pashpjegueshme dhe zbërthyes i teorive të konspiracionit, i jep të drejtë Qeverisë që të hetojë dhe të raportojë mbi implikimet e mundshme të sigurisë kombëtare të incizuara në video të ndryshme
“Çdo herë që ka një lloj objekti të paidentifikuar që vjen përmes hapësirës ajrore ushtarake, është një çështje reale që duhet verifikuar”, ka thënë West. “Mirëpo videot, edhe pse shfaqin objekte të paidentifikuara, nuk tregojnë objekte të mahnitshme të paidentifikuara”.
Pilotët dhe vëzhguesit e qiellit kanë raportuar prej kohësh pamje të rralla të UFO-ve në hapësirën ajrore të SHBA-së. Këto objekte të paidentifikuara kishin shpejtësi dhe trajektore të pazakonta. Në shumicën e rasteve, këto mistere avullohen kur nisin të hetohen.
E kaluara sekrete
Në vitin 1960, CIA kishte thënë se 6 mijë e 500 objekte ishin raportuar në Forcën Ajrore të SHBA-së në 13 vjetët e fundit. Forcat Ajrore deklaruan se nuk kishte prova që këto objekte ishin armiqësore ose anije ndërplanetare.
Raportet e UFO-ve, natyrisht, kanë vazhduar që prej asaj periudhe. Disa studiues të kësaj çështjeje argumentojnë se hetimet kanë qenë të kufizuara për shkak të stigmës në lidhje me teoritë konspirative. Ata kanë thënë se Qeveria ka një histori të gjatë të gënjeshtrave për objektet e pashpjegueshme që janë kapur nëpër qiell.
U deshën 50 vjet që Qeveria të ofrojë detaje me të cilat shpresohej se do të zbërtheheshin të gjitha pretendimet se trupa jashtëtokësorësh ishin gjetur në një vendaksident ajror në New Mexico gjatë vitit 1947. Më 1997, forcat ajrore sqaruan se trupat ishin kukulla të përdorura për një stërvitje ushtarake.
Koloneli i pensionuar i Forcave Ajrore, Richard Weaver, që shkroi raportin në lidhje me thashethemet e rastit “Roswell” në New Mexico, ka tentuar të siguronte publikun se Qeveria nuk është aq kompetente sa të mbulojë një rast të jashtëtokësorëve. “E kemi të vështirë të mbajmë sekrete, e lëre më të krijojmë një komplot aq të mirë”, ka thënë Weaver.
Pikë kthese ishte dhjetori i vitit 2017, kur gazeta “The New York Times” publikoi programin pesëvjeçar të Pentagonit për të hetuar UFO-t. Pak ditë më vonë, Pentagoni publikoi videot e pilotëve amerikanë që hasnin në objekte të errësuara që nuk mund të identifikoheshin.
Njëra prej videove ishte edhe ajo e pilotëve ushtarakë që po ndiqnin një objekt të quajtur “Gofat” në brigjet e SHBA-së gjatë vitit 2015. Në një tjetër video të po atij viti, kapet një objekt i paidentifikuar që fluturon në kahun e kundër të erës. “Na një flotë të tërë prapa”, thotë njëri prej pilotëve, megjithëse në video shihet vetëm një objekt. “Po rrotullohet”, thotë i çuditur piloti tjetër.
Në vitin 2019, Flota Detare njoftoi se do të krijonte një proces zyrtar për pilotët e saj për të raportuar fenomene ajrore të paidentifikuara, ose UAP. Gjatë gushtit të kaluar, Departamenti i Mbrojtjes krijoi një taskforcë të përkushtuar për këtë çështje. Misioni ishte të “zbulonte, analizonte dhe katalogonte UAP-të”, që mund ta rrezikonin SHBA-në.
Insistimi i politikës
Në një epokë dronësh gjithnjë e më të sofistikuar, që tani shihen si një rrezik për vendet e ndjeshme ushtarake vendase, siç janë bazat e raketave bërthamore, përqendrimi ka qenë më shumë te rivalët e huaj sesa te vizitorët e supozuar nga një planet tjetër. Megjithatë, formimi i taskforcës qëndroi si një pranim i rrallë nga Qeveria se UFO-t paraqisnin shqetësim të mundshëm të sigurisë kombëtare.
Së fundmi, një raport në emisionin “60 Minutes” të CBS-së paraqiti videot e deklasifikuara dhe ngriti pyetje rreth asaj se çfarë inteligjence posedonte Qeveria e SHBA-së.
Republikani Rubio, anëtar i Komitetit të Inteligjencës në Senat, ka thënë se është e rëndësishme për hetuesit t’i ndjekin raportet e pilotëve të saj dhe incizimet t’i bëjnë publike. “Po flas për atë që tregojnë ushtarët dhe radarët tanë”, ka thënë Rubio. “Ka shumë njerëz të aftë dhe të trajnuar”, ka shtuar ai.
Megjithatë, gjërat në qiell shpesh nuk janë ato që duken. Shermeri tronditi me shembujt se fenomenet që shfaqen në qiell me shumë gjasë janë prodhim i njerëzve në tokë.
“90 deri në 95% e të gjitha vëzhgimeve të UFO-ve mund të shpjegohen si balona të motit, aeroplanë sekretë ushtarakë, zogj që reflektojnë diellin, aeroplanë që pasqyrojnë diellin, planetët Venera ose Marsi, meteorë ose mbetje të tyre, satelitë, kristale akulli që reflektojnë dritën nga retë, dritat në tokë ose dritat e reflektuara në dritaren e kabinës, përmbysjet e temperaturës”, ka thënë ai.
“Që ndonjë prej këtyre gjërave të jetë e vërtetë, na duhet diçka më shumë sesa këto video dhe fotografi të turbullta”, ka shtuar ai.
“Na duhen vërtet disa prova të forta, prova të jashtëzakonshme, sepse kjo do të ishte një nga pretendimet më të jashtëzakonshme ndonjëherë nëse do të ishte e vërtetë”.
Përktheu: Gent Mehmeti