Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të ulin tarifat e vendosura ndaj mallrave me vlerë 60 miliardë dollarë të importuara nga njëra-tjetra, për një sërë produktesh, nga misri amerikan te kozmetika, si dhe nga pajisjet elektroshtëpiake kineze te lodrat.
Në kuadër të Bordit të Tregtisë SHBA-Kinë, të dyja vendet kanë propozuar secila 30 miliardë dollarë tregti me mallra jo të ndjeshme, për të përfituar nga trajtimi më i favorshëm tarifor, ka thënë përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, në një deklaratë të dielën.
Për Shtetet e Bashkuara, kjo nënkupton “mundësimin e qasjes së përmirësuar në treg” për rreth 30% të eksporteve amerikane drejt Kinës, ka thënë ai.
Ulja reciproke e tarifave, si dhe zgjatja e një armëpushimi tregtar, ishin ndër përfundimet kryesore nga samiti i dytë këtë vit mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump, i zhvilluar në Ëashington javën e kaluar.
Njëra nga dy listat e Shtëpisë së Bardhë tregonte se Kina planifikonte të ulte tarifat për një sërë produktesh bujqësore amerikane, përfshirë misrin, grurin, melekun, mishin, produktet e qumështit, vajrat bimore dhe ushqimet për kafshë. Soja nuk ishte përfshirë në listë.
Edhe
Kina konfirmon planin për blerjen e 200 avionëve Boeing nga SHBA-ja
Pekini zyrtar do të shqyrtojë gjithashtu uljen e tarifave për peshkun dhe prodhimet e detit nga SHBA-ja, trungjet dhe produktet e drurit, kozmetikën dhe pajisjet mjekësore.
Në një listë tjetër ishin uljet reciproke të tarifave nga Ëashingtoni për pajisjet e vogla elektroshtëpiake kineze, si aparatet e kafesë dhe tosterët, si dhe për enët e tavolinës, batanijet dhe çarçafët.
Listat përfshinin gjithashtu lodra, fishekzjarre, lule artificiale, drita për pemët e Krishtlindjeve dhe dekorime të tjera festive, si dhe sedilje makinash për fëmijë.
Ministria kineze e Tregtisë ka thënë të hënën se zgjatja me dy muaj e armëpushimit tregtar me Shtetet e Bashkuara, deri më 10 janar, do t’u krijonte të dyja palëve hapësirë për të vlerësuar marrëveshjen aktuale për zgjidhjen e çështjeve ekonomike dhe tregtare, duke shqyrtuar njëkohësisht mënyrat për të avancuar në këto fusha.
Edhe
Trumpi takohet me Xi-në, zvogëlon tarifat ndaj Kinës
Zgjatja gjithashtu siguron një “mjedis politik relativisht të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm” për bashkëpunimin mes kompanive dhe vazhdimin e diskutimeve aktive.
Të dyja palët do të zhvillojnë bisedime të rregullta për mundësitë dhe pengesat e mundshme të investimeve, duke rritur transparencën dhe parashikueshmërinë e politikave dhe duke iu përgjigjur shqetësimeve të kompanive, ka thënë ministria.