Botë

SHBA-ja dhe Britania zotohen për 1,5 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Antony Blinken, Volodymyr Zelensky dhe David Lammy

Antony Blinken, Volodymyr Zelensky dhe David Lammy

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara dhe Britania premtuan gati 1.5 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën të mërkurën, gjatë një vizite në Kiev nga kryediplomatët e tyre, ndërsa zyrtarët ukrainas ripërsëritën lutjet e tyre për të përdorur raketa të ofruara nga Perëndimi kundër objektivave më të thella brenda Rusisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi për më shumë se 700 milionë dollarë ndihmë humanitare, ndërsa sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy konfirmoi se vendi i tij do të sigurojë 782 milionë dollarë të tjera ndihmë dhe garanci kredie. Pjesa më e madhe e ndihmës ka për qëllim forcimin e rrjetit energjetik që Rusia e ka goditur vazhdimisht përpara një dimri që pritet të jetë i vështirë, raporton AP.

Blinken dhe Lammy udhëtuan së bashku në kryeqytetin ukrainas në një turne të rrallë të përbashkët për të nënvizuar angazhimin e tyre ndaj vendit në luftën e tij. Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan vazhdimisht gjatë vizitës, duke i detyruar ata të anulonin një ceremoni të vendosjes së kurorave.

Blinkeni ka thënë se presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe kryeministri britanik, Keir Starmer do të flasin për çështjen e raketave me rreze të gjatë kur të takohen të premten në Uashington.