Reza Valizadeh, gazetar iraniano-amerikan që ka punuar për një transmetues televiziv të financuar nga qeveria amerikane, besohet se është ndaluar nga Irani për disa muaj, raporton AP.
Burgosja e Valizadehut është lajmëruar nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, sipas agjencisë së lajmeve.
Valizadehu më herët ka punuar për Radio Farda, kanal i Radio Evropës së Lirë që mbikëqyret nga Agjencia e SHBA-së për Mediat Globale.
Sipas raportit të AP-së, Irani nuk e ka pranuar ndalimin Valizadehut dhe se misioni i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje.
Zëri i Amerikës, një tjetër media e financuar nga qeveria amerikane e mbikëqyrur nga Agjencia për Media Globale, raportoi fillimisht se Departamenti i Shtetit e ka lajmëruar ndalimin e Valizadehut.