Botë

Shalqiri, simboli i solidaritetit me palestinezët

Ekziston një thënie, që shpesh i atribuohet poetit grek Dinos Christianopoulos, që është e njohur në mesin e aktivistëve: “Ata donin të na varrosnin; nuk e dinin që ne ishim fara”. Imazhi i një shalqiri të ndarë nga fara të guximshme trekëndore u mbajt në protestën e grupeve në qendrën Lincoln të Manhattanit dhe që atëherë është përhapur në internet.

Gjatë tre muajve të fundit, në banderola, bluza, balona dhe postime në mediat sociale, një copëz imazhi është shfaqur në mbarë botën në protesta kundër luftës Izrael-Hamas: shalqiri.

Ngjyrat e shalqirit të prerë në feta - me tul të kuq, lëkurë jeshile-të bardhë dhe fara të zeza - janë të njëjta me ato në flamurin palestinez. Nga Nju- Jorku dhe Tel-Avivi në Dubai dhe Beograd, fruta është bërë simbol solidariteti, duke tërhequr së bashku aktivistët që nuk flasin të njëjtën gjuhë ose i përkasin së njëjtës kulturë, por ndajnë një kauzë të përbashkët.

Për të shmangur censurën represive, disidentët kinezë dikur filluan “algospeak”, ose stenografi krijuese që anashkalojnë moderimin e përmbajtjes, të parë së fundmi me memet e Winnie the Pooh, që tallnin presidentin kinez Xi Jinping. Njerëzit në mbarë botën filluan të përdorin algospeak-un për të përmbysur paragjykimet algoritmike në TikTok, Instagram dhe platforma të tjera.

Interneti tani po mbushet me shenja piktoreske – Pixelated images, emotikonë dhe kode të tjera tipografike – që sinjalizojnë mospajtimin politik. Emotikoni i shalqirit është shembulli më i fundit.

Ja se si shalqiri u shndërrua nga një simbol proteste në Bregun Perëndimor dhe Gaza në një shenjë globale solidariteti me palestinezët në internet.

Konteksti historik

Pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967, Qeveria izraelite ka ndaluar shfaqjen e flamurit palestinez në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Në Ramallah në vitin 1980, ushtria mbylli një galeri të drejtuar nga tre artistë, sepse ata shfaqnin art politik dhe vepra në ngjyrat e flamurit palestinez - të kuqe, jeshile, të zezë dhe të bardhë.

Treshja u thirr më vonë nga një zyrtar izraelit. Sipas artistit dhe organizatorit të ekspozitës Sliman Mansour, njëri nga ta i tha: “Ndalohet organizimi i një ekspozite pa leje nga ushtria dhe së dyti është e ndaluar të pikturohet me ngjyrat e flamurit palestinez”. Zyrtari përmendi një shalqi si një shembull të artit që do të shkelte rregullat e ushtrisë, ka treguar Mansour për Associated Press javën e kaluar.

Në shenjë proteste, njerëzit filluan të tundnin frutat në publik.

“Ka histori të të rinjve që dolën në rrugë me feta frutash, duke rrezikuar arrestimin nga ushtarët izraelitë”, shkroi autori i lindur në Jerusalem, Mahdi Sabbagh. “Kur shoh një shalqi, mendoj për shpirtin e pathyeshëm të popullit tonë”.

Nga mesi i viteve ‘90, kur izraelitët dhe palestinezët arritën marrëveshje të përkohshme paqeje, derisa qeveria aktuale nacionaliste izraelite mori detyrën një vit më parë, ngritja e flamurit palestinez u tërhoq si një çështje kryesore. Tri dekada më vonë, “ai u bë përsëri simbol kombëtar”, ka thënë Mansour.

Një vit më parë, ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ndaloi flamujt palestinezë në vende publike. Kjo përpjekje u prit me kundërshtime të zjarrta. Si përgjigje, Zazim, grup aktivistësh izraelitë arabë dhe hebrenj, suvatuan taksitë në Tel-Aviv me ngjitëse të mëdha shalqiri që shkruanin: “Ky nuk është një flamur palestinez”.

“Mesazhi ynë për qeverinë është i qartë”, ka theksuar organizata në një deklaratë me shkrim. “Ne gjithmonë do të gjejmë një mënyrë për të anashkaluar çdo ndalim absurd dhe nuk do të ndalemi së luftuari për lirinë e shprehjes dhe demokracinë – pavarësisht nëse kjo përfshin flamurin e krenarisë apo flamurin palestinez”.

Për disa, shenja e ngjyrave të flamurit ka të bëjë me përpjekjen për liri dhe barazi dhe jodomosdoshmërisht shtetësi.

“Unë kurrë nuk jam kujdesur për flamujt apo nacionalizmin”, është shprehur Mayssoun Sukarieh, ekspert në studimet e Lindjes së Mesme në King’s College në Londër. “Por kur bëhet fjalë për Palestinën, është një flamur i një populli të kolonizuar që nuk e pa kurrë pavarësinë. Dhe për shkak se është ndaluar, ai bëhet më shumë një simbol i rezistencës sesa i nacionalizmit”.

Image
Një protestuese në Los Angeles duke mbajtur në dorë letrën me mbishkrime dhe me simbolin e shalqirit në shenjë solidariteti me palestinezët

Emotikoni i shalqirit

Shalqinjtë kanë qenë prej kohësh një element kryesor i ushqimit në rajon, me disa pjata, si një sallatë popullore në Gazën jugore, me origjinë nga fiset arabe beduine.

Gjithnjë e më shumë, aktivistët e rinj kanë adoptuar emotikonin e shalqirit duke bërë thirrje për një armëpushim në Gaza. Emotikoni mund të ngatërrojë algoritmet që avokatët thonë se kompanitë e teknologjisë përdorin për të shtypur postimet me fjalë kyç si “Gaza” dhe madje vetëm “Palestinezë”.

“Me shalqirin (emotikon), mendoj se kjo është më të vërtetë hera e parë ku e kam parë të përdoret gjerësisht si një mbështetje. Dhe kjo për mua shënon një rritje të dukshme në censurën e përmbajtjes palestineze”, thotë Jillian York, drejtoreshë për lirinë ndërkombëtare të shprehjes në Fondacionin Electronic Frontier.

York me qendër në Berlin ka analizuar politikat e Metës. Ndërsa “shadow banning” ose dukshmëria e kufizuar e postimeve të caktuara mund të jetë e vështirë për t’u dalluar, organizatat avokuese dhe jofitimprurëse që studiojnë të drejtat digjitale në Lindjen e Mesme thonë se kanë gjurmuar paragjykime të forta, veçanërisht në platformat Meta Facebook dhe Instagram. Meta nuk ka thënë shumë drejtpërdrejt për këtë, por citon një deklaratë të publikuar në tetor.

“Censura është disi e dukshme në Instagram”, tha York. Në mesin e tetorit, njerëzit filluan të vinin re se nëse biografia e dikujt në Instagram thoshte "palestinez" në anglisht së bashku me emojin e flamurit palestinez dhe "Lavdërimi i qoftë zotit" në arabisht, aplikacioni e përkthente tekstin në "Terrorist". Meta ka kërkuar falje publike.

Shalqinjtë nuk janë simboli i vetëm për t’u kapur me aktivistët. Shenja të tjera të solidaritetit global palestinez përfshijnë çelësat, lugët, ullinjtë, pëllumbat, lulëkuqet dhe shallin keffiyeh. Në nëntor, për t’u lidhur me mesazhin paqësor të Ditës së Armëpushimit, kur shumë britanikë tradicionalisht mbajnë karficën me lule të kuqe, protestuesit këtë vit shpërndanë ato me lule të bardha, për të përkujtuar viktimat e të gjitha luftërave. Në këtë festë, shumë protestues kanë mbajtur karficat lulëkuqe kur marshuan nëpër Londër duke bërë thirrje për t'i dhënë fund luftës në Gaza.

Në Shtetet e Bashkuara, Zëri Hebre për Paqe përforcoi imazhet e shalqirit duke bërë thirrje për një armëpushim në Gaza muajin e kaluar. Grupi mbajti tabela në Nju-Jork me ngjyrat e flamurit palestinez dhe me shalqinj trekëndësh, duke përdorur simbolin e trekëndëshit të ACT UP, grupi historik i aktivistëve për AIDS-in.

Jason Rosenberg, anëtar i të dyja organizatave, tha: “Imazhi ynë i rishpikur tregon se lufta jonë për çlirim dhe lufta për t’i dhënë fund epidemisë është e lidhur thelbësisht me luftën palestineze”.

Imazhi i farës

Një tjetër arsye pse shalqiri mund të rezonojë: ka fara. Ekziston një thënie, që shpesh i atribuohet poetit grek Dinos Christianopoulos, që është e njohur në mesin e aktivistëve: “Ata donin të na varrosnin; nuk e dinin që ne ishim fara”.

Imazhi i një shalqiri të ndarë nga fara të guximshme trekëndore u mbajt në protestën e grupeve në qendrën Lincoln të Manhattanit dhe që atëherë është përhapur në internet. Kjo ndodh shpesh - arti del nga lëvizjet e protestës dhe më pas hyn në rrjedhën kryesore.

Sulmet ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit në Gaza kanë vrarë më shumë se 24 mijë njerëz, rreth 70% e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e sunduar nga Hamasi. Numërimi nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.

Gjatë gjithë botës, aktivistët në mbarë botën kanë vazhduar të bëjnë thirrje për paqe dhe një armëpushim të përhershëm. Izraeli thotë se përfundimi i luftës tani, përpara se Hamasi të shtypet, do t’u jepte një fitore militantëve që sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor dhe vranë rreth 1.200 njerëz dhe morën peng rreth 250.

Përktheu: Blerta Haxhiu

LEXO EDHE: