Dhjetëra nacionalistë serbë të Bosnjës demonstruan të shtunën në qytetin veriperëndimor të Bosnjës, Banja Luka, në mbështetje të pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Pjesëmarrësit valëvitën flamujt rusë dhe e përshkruan vendimin e Rusisë për të pushtuar fqinjin e saj shumë më të vogël si një "betejë legjitime për çlirimin e popullit të nënshtruar (të Ukrainës).
“Rusia nuk është në luftë me Ukrainën, ajo është në luftë me forcat e errëta euroatlantike që duan të dominojnë botën dhe ta shkatërrojnë atë”, ka thënë Zdravko Mocevic, një nga mbi 100 personat, kryesisht burra, që iu bashkuan tubimit.
Mbledhja u organizua nga anëtarët serbë të Bosnjës të “Ujqërve të Natës”, një klub rus i motoçikletave që mbështet me vendosmëri presidentin, Vladimir Putin dhe, si rrjedhojë, gjithashtu mbrojtësin e tij ballkanik, udhëheqësin separatist serb të Bosnjës Milorad Dodik, i cili kohët e fundit u godit me sanksione të SHBA-së nën dyshimin për korrupsion.
Pushteti politik në Bosnjën multietnike ndahet ndërmjet komuniteteve etnike boshnjake, kroate dhe serbe.
Dodik aktualisht shërben si anëtar serb i presidencës trepalëshe të vendit. Pavarësisht kundërshtimit të zëshëm të Dodik, Bosnja iu bashkua një votimi historik në fillim të këtij muaji në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke denoncuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës.