Senati amerikan i ka dhënë mbështetje emërimit të James O’Brien si ndihmëssekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.
67 senatorë ishin pro emërimit të tij në këtë pozitë, dhe 31 kundër.
"Ai theksoi rëndësinë e udhëheqjes së Amerikës për integrimin e Ukrainës, si dhe të Ballkanit Perëndimor në strukturat ekonomike dhe politike transatlantike", tha kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Ben Cardin.
Përveç se drejton Byronë e Çështjeve Evropianë dhe Euroaziatike, O’Brien do t’i raportojë të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. O’Brien ndër shumë të tjera, ka shërbyer edhe si i dërguar presidencial për Ballkanin. Ai ka shërbyer në dy administrata amerikane si i dërguar special presidencial, si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright, dhe zëvendësdrejtor i Planifikimit të Politikave.
O’Brien njihet si këshilltar për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë dhe Ukrainës, dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës. Si i dërguari i parë presidencial për çështjet e pengjeve nga viti 2015 deri në vitin 2017, ai ndihmoi në krijimin e zyrës dhe punoi për kthimin e sigurt të 100 qytetarëve amerikanë.
Ai ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 dhe ishte pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave të Rambujesë më 1999.