Botë

Sëmundjet përhapen në Gaza pasi ujërat e zeza kontaminojnë kampet dhe bregdetin

Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Ujërat në disa pjesë të vijës bregdetare të Gazës kanë filluar të kthehen në ngjyrë kafe. Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë për përhapjen e ujërave të zeza dhe sëmundjeve në të gjithë territorin.

Imazhet satelitore, të analizuara nga BBC Arabic, tregojnë atë që duket të jetë një derdhje e madhe e ujërave të zeza në brigjet e Deir al-Balah.

Një zyrtar lokal i ka thënë BBC-së se njerëzit e zhvendosur në kampet aty pranë po i dërgojnë ujërat e zeza direkt në det.

"Kjo është për shkak të rritjes së numrit të njerëzve të zhvendosur dhe shumë prej tyre po i lidhin tubat e tyre me sistemin e kullimit të ujërave të shiut”, ka thënë Abu Yazan Ismael Sarsour, kreu i komitetit të urgjencës Deir al-Balah.

Wim Zwijnenburg, një ekspert mjedisor nga organizata “Pax for Peace”, ka konfirmuar se ujërat e zeza po shkojnë në det nga kampet e mbushura me njerëz aty pranë, pas ekzaminimit të fotografive satelitore.

Shkarkimet e ujërave të zeza në imazhet, të kapura më 2 gusht, mbulonin një sipërfaqe prej mbi 2 km katrorë. Imazhet satelitore tregojnë se shkarkimi filloi të shfaqej fillimisht në qershor, dhe se u rrit në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy muajve pasues.

Bombardimet intensive izraelite kanë çuar në shembjen e infrastrukturës së menaxhimit të ujërave të zeza të Gazës, thuhej në një raport mjedisor të OKB-së në qershor.

Organi i ministrisë izraelite të Mbrojtjes që mbikëqyr politikën për territoret palestineze “Cogat”, i ka thënë BBC Arabic se një grup i dedikuar humanitar kishte ndërmarrë veprime për të përmirësuar sistemin e ujërave të zeza në Gaza.

Në muajt e fundit, “Cogat” bashkërendoi restaurimin e puseve të ujit dhe zgjerimin e tubave të ujit në Gaza, sipas deklaratës së tij.

Ekspertët e shëndetësisë, megjithatë, po japin alarmin për përhapjen e sëmundjeve të transmetuara nga uji, pasi një foshnjë 10-muajshe u paralizua pjesërisht pas kontraktimit të poliomielitit, rasti i parë i regjistruar në Gaza për 25 vjet.

Zyrtarët e OKB-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kërkuan gjithashtu një armëpushim dy-javor, në mënyrë që të mund të vaksinojnë 600,000 fëmijë në Gaza.

Por vëzhguesit thonë se shpërndarja e vaksinave ndoshta do të haste në të njëjtat pengesa që ndikojnë në rrjedhën e ndihmave të tjera humanitare, duke e bërë shpërndarjen të ngadaltë dhe jashtëzakonisht të vështirë. Shkatërrimi i sistemit të kujdesit shëndetësor të Gazës do ta bëjë çdo program vaksinimi një sfidë të madhe.

Imazh satelitor i situatës me ujëra të zeza në bregdetin e Gazës

Në një përgjigje për BBC Arabic, “Cogat” ka deklaruar se nuk ka kufizime për ndihmën mjekësore.

Në një deklaratë të mëvonshme në mediat sociale, “Cogat” se "60,000 vaksina shtesë ndaj poliomielitit do të dorëzohen për të vaksinuar mbi një milion fëmijë" në javët e ardhshme.

Organizata bamirëse “Oxfam” i ka thënë BBC Arabic se një e katërta e popullsisë së Gazës tashmë ishte sëmurë për shkak të sëmundjeve që vijnë nga uji.

"Ne po shohim një krizë katastrofike shëndetësore që shpaloset para syve tanë”, është shprehur Lama Abdul Samad, një ekspert i ujit dhe kanalizimeve në “Oxfam”.

“Polio është një sëmundje e shkaktuar nga uji dhe është e lidhur drejtpërdrejt me situatën sanitare.

Infrastruktura sanitare është dëmtuar rëndë deri në atë pikë sa po përmbyt rrugët dhe lagjet, dhe njerëzit në thelb jetojnë pranë pellgjeve të ujërave të zeza”, ka shtuar ajo.

Laguna Sheikh Radwan në Gazën veriore, e cila dikur ishte burim i ujit të pastër të shiut, duket se është i tejmbushur me ujë të ndotur.

Laguna është ndotur nga ujërat e zeza të papërpunuara, ka bërë të ditur Abdul Samad pas vlerësimit të fotografive.

Disa palestinezë që jetojnë aty pranë janë ankuar për ujërat e tejmbushura, erën e keqe dhe brejtësit që dalin nga laguna.

“Ujërat e zeza të papërpunuara po derdhen në pronën tonë për shkak të lagunës së tejmbushur të Sheikh Radwan”, ka thënë Ibrahim Ramzi.

Ndërkohë, Ghada al-Haddad, një punonjëse ndihme në Gazën qendrore, i ka dërguar BBC Arabic një video nga një kamp i improvizuar ku ujërat e zeza ishin grumbulluar në një pellg pranë njerëzve të zhvendosur. Ajo e ka përshkruar erën si "të padurueshme".

Polio është vetëm një pjesë e krizës shëndetësore me të cilën përballet Gaza.

Në fillim të këtij muaji, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë “Unrwa”, raportoi 40,000 raste të hepatitit A në Gaza që nga fillimi i luftës, krahasuar me vetëm 85 në të njëjtën periudhë, një vit më parë.

Hepatit A gjithashtu mund të transmetohet përmes gëlltitjes së ujit të kontaminuar.

Ekspertët e shëndetit publik po paralajmërojnë gjithashtu për një epidemi të mundshme të kolerës.

Agjencitë e ndihmës thonë se mjekët në Gaza po përpiqen gjithashtu të trajtojnë një ngarkesë të madhe të rasteve të dizenterisë, pneumonisë dhe sëmundjeve të rënda të lëkurës, për shkak të kolapsit të sektorit shëndetësor.

"Arsyeja pas përhapjes së këtyre sëmundjeve bakteriale është mungesa e plotë e një sistemi sanitar”, ka thënë këshilltari pediatrik, Ahmed al-Farra.

Ai ka shtuar se problemet përfshinin "përzierjen e ujit të pastër nëntokësor dhe ujërave të zeza, mbipopullimin e madh, nxehtësinë ekstreme, mungesën e ventilimit, tendat e mbipopulluara, dhe ndarjen e tepërt të tualeteve".

OKB-ja vlerëson se shumica dërrmuese e 2.3 milionë njerëzve të Gazës janë zhvendosur brenda vendit që nga vjeshta e kaluar.

Shumë njerëz jetojnë në strehimore me vetëm një tualet për 600 persona, sipas një zyrtari të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në korrik.

Më 7 tetor, Hamasi ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën në Gaza si pengje.

Që nga sulmi, operacioni ushtarak izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 40,200 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.