Së paku 114 persona kanë vdekur dhe 200 të tjerë janë lënduar nga zjarri në sallën e dasmës në veri të Irakut.
Qindra persona ishin të ftuar në dasmën në qytetin Qaraqosh në provincën Nineveh kur nisi zjarri.
“Jemi në kërkim, por nuk ka asgjë. Nuk ka trupa. Kemi kërkuar edhe në spitalet e Mosulit, në Departamentin e Forenzikës, por nuk ka asgjë. Trupat janë zhdukur, nuk ka asgjë o vëlla”, ka thënë një i afërm i viktimave.
Shkaqet e zjarrit nuk dihen, por autoritetet irakiane kanë njoftuar se në ndërtesë kishte shumë gjësende që mund të digjeshin shpejt. Sipas mediave, zjarri është shkaktuar nga fishekzjarrët brenda sallës së dasmës.
“Më ka vdekur bashkëshortja, por nuk mund të gjejë dy vajzat. Kemi kërkuar në gjithë Mosulin dhe kemi publikuar fotografitë e tyre, mirëpo nuk ka asgjë. Pasha Zotin ishim të ulur këtu, dhe gruaja shkoi në tualet, ajo nuk ishte djegur, ajo dhe vëllai im nuk janë djegur, por kanë vdekur nga tymi. Kanë vdekur nga tymi në banjë”, është shprehur një i mbijetuar i zjarrit.
Pas skenave kaotike pas shuarjes së zjarrit, zyrtarët e sigurisë kanë arrestuar stafin e sallës së dasmës si pjesë të hetimeve.
“Ishim të ulur këtu kur nisi zjarri. Sikur të kishte një bombol për shuarjen e zjarrit, një me shtatë litra, do të ishte shuar zjarri. Por pronari i sallës nuk është burrë i ndershëm, sikur të ishte i tillë do të kishte punësuar dikë për të ruajtur sallën dhe për t’u kujdesur për gjeneratorin, sallën, tualetin. Unë pyes se si salla nuk kishte pajisje për shuarje të zjarrit”, ka theksuar një tjetër i mbijetuar i zjarrit.
Mediat kurde kanë thënë se fishekzjarrët kanë goditur abazhurin në tavan dhe kështu ka nisur të përhapet zjarri në krejt sallën.