Botë

Scholzi viziton Kievin, njofton ndihmën e re prej 650 milionë eurosh

Olaf Scholz

Olaf Scholz

Foto: Associated Press

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë një vizitë të papritur në Kiev të hënën, duke u zotuar se vendi i tij do të mbetet mbështetësi më i madh i Ukrainës në Evropë dhe duke premtuar dërgimin këtë muaj të ndihmës ushtarake, në vlerë prej 650 milionë euro.

Vizita, e dyta e tij që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia gati tre vjet më parë, sinjalizon mbështetjen e Gjermanisë në një kohë pasigurie, përpara se presidenti i zgjedhur, Donald Trump të marrë frenat në Shtëpinë e Bardhë, dhe ndërsa forcat ruse bëjnë fitime territoriale, raporton Reuters.

Scholzi do të zhvillojë bisedime me presidentin Volodymyr Zelensky, i cili do të kërkojë nga NATO-ja që ta ftojë Ukrainën që t'i bashkohet aleancës ushtarake, në një takim në Bruksel këtë javë.

Vizita e kancelarit gjerman vjen gjithashtu teksa ai përballet me një betejë të ashpër për rizgjedhje në zgjedhjet që pritet të mbahen në shkurt në Gjermani, pasi koalicioni i tij u shemb në nëntor.

Të dhënat e tij në mbështetjen e Ukrainës kanë qenë nën vëzhgim si nga ata që donin që ai të bënte më shumë për të ndihmuar Kievin dhe, nga ana tjetër, nga ata votues që duan që Gjermania të tërhiqet nga dërgimi i armëve dhe ndihmave në Ukrainë.

"Gjermania do të mbetet mbështetësja më e fortë e Ukrainës në Evropë”, ka shkruar Scholz në X.

Ndërkaq për takimin me Zelenskyn, ai ka thënë se "do të njoftojë pajisje të tjera ushtarake me vlerë 650 milionë euro, të cilat do të dorëzohen në dhjetor".

Me mbërritjen e tij në Kiev të hënën, Scholzi ka rënë në sy me një kofer që mbante në dorë. Mediat ruse kanë shtruar pyetjen se çka mund të ketë Scholzi në të.