Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka vlerësuar zëvendëspresidenten, Kamala Harris, si një politikane “kompetente dhe me përvojë”, e cila mund t’i fitojë zgjedhjet në SHBA.
Pavarësisht kësaj deklarate, Scholzi nuk është zgjatur më shumë me mbështetjen e tij për Harrisin në krahasim me republikanin, Donald Trump.
Scholzi ka qenë zakonisht i drejtpërdrejtë në mbështetjen e tij për presidentin, Joe Biden, para se ai të njoftonte largimin nga gara të dielën, dhe të shprehte përkrahjen e tij për Kamala Harrisin për kandidate të Partisë Demokratike në vend të tij, raporton Reuters.
Shumë politikanë gjermanë kanë frikë se nëse Trumpi i fiton zgjedhjet, ai mund të vendosë tarifa më të larta në importe e po ashtu kanë vënë pikëpyetje lidhur me mbështetjen që republikani do të ketë për aleancën ushtarake, NATO.
“Fushata zgjedhore në SHBA do të jetë me siguri mahnitëse, tani me një formacion të ri”, ka thënë Scholzi në një konferencë vjetore për shtyp të mërkurën.
“Mendoj se është shumë e mundshme që Kamala Harris t’i fitojë zgjedhjet, por votuesit amerikanë do të vendosin”, ka deklaruar Scholzi më tej.
Ai ka thënë se është takuar disa herë me Harrisin.
“Ajo është një politikane kompetente dhe me përvojë, e cila e di saktë se çfarë është duke bërë. Ajo e di se çfarë do dhe se çfarë mund të bëjë”, ka shtuar ai.