Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të përballet të hënën me një votëbesimi në parlamentin gjerman që pritet ta humbasë, duke i hapur rrugën ekonomisë më të madhe të Bashkimit Evropian për të mbajtur zgjedhje të parakohshme në shkurt.
Qeveria trepartiake famëkeqe e Scholz-it u shemb më 6 nëntor kur kancelari shkarkoi ministrin e tij të Financave, për shkak të një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi mënyrën se si të rigjallërohej ekonomia e rrënuar e Gjermanisë. Kjo i la dy partnerët e mbetur të qendrës së majtë pa shumicë në parlament.
Udhëheqësit e disa partive të mëdha ranë dakord më pas që zgjedhjet parlamentare të mbaheshin më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.
Kushtetuta e Gjermanisë e pas Luftës së Dytë Botërore nuk lejon që dhoma e ulët e parlamentit, ose Bundestagu, të shpërndahet, kështu që nevojitet një votëbesimi për të çuar në zgjedhje të parakohshme.
Çfarë ka gjasa të ndodhë?
SocialDemokratët e Scholz-it kanë 207 vende në Bundestag dhe pritet të votojnë për kancelarin.
Partnerët e tyre të mbetur të koalicionit, ambientalistët “Të Gjelbrit”, kanë 117 vende dhe planifikojnë të abstenojnë. Kjo do të thotë se Scholzi nuk i afrohet aspak shumicës prej 367 në dhomën prej 733 vendesh të nevojshme për të fituar votën e besimit.
Nëse Scholz humbet, i takon presidentit Frank-Walter Steinmeier të vendosë nëse do të shpërndajë Bundestagun.
Steinmeier, i cili ka thënë muajin e kaluar se "ky vend ka nevojë për shumicë të qëndrueshme dhe një qeveri që është e aftë të veprojë", ka 21 ditë për të marrë këtë vendim. Pasi të shpërndahet parlamenti, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve.
Në praktikë, fushata tashmë është duke u zhvilluar mirë.
Kush është në garë?
Teksa ka kërkuar zyrtarisht votëbesimin të mërkurën, Scholzi ka deklaruar se votuesit "do të vendosin në zgjedhje se si do t'u përgjigjemi pyetjeve të mëdha me të cilat përballemi".
Këto, sipas tij, përfshijnë faktet: nëse Gjermania do të vendosë të investojë fuqishëm në të ardhmen e saj, të sigurojë vende pune dhe të modernizojë industrinë e saj, të mbajë nivelet e pensioneve të qëndrueshme, dhe të afrohet më shumë drejt një paqeje të drejtë në Ukrainë pa u tërhequr në luftë".
Gjermania është bërë furnizuesi më i madh ushtarak i Ukrainës në Evropë, por Scholzi gjithashtu ka refuzuar ta furnizojë atë me raketa me rreze të gjatë “Taurus” për shkak të shqetësimeve të përshkallëzimit të luftës me Rusinë.
Në anën tjetër, sfiduesi i qendrës së djathtë, Friedrich Merz, ka parashikuar të shtunën "një nga fushatat më të vështira zgjedhore" në historinë moderne gjermane. Ai ka thënë se është thelbësore që ekonomia të bëhet më konkurruese, sepse “konkurrueshmëria e ekonomisë sonë është parakusht për gjithçka tjetër”.
Sondazhet tregojnë se partia e Scholz-it mbetet pas bllokut kryesor opozitar të Merz-it, CDU.
Zëvendëskancelari, Robert Habeck, të Gjelbërit e të cilit janë më mbrapa, është gjithashtu në garë për postin kryesor të vendit.
Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) ka emëruar Alice Weidel si kandidate të saj për kancelar, por nuk ka asnjë shans për të marrë këtë detyrë sepse partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të.
Votat e besimit janë të rralla në Gjermani, një vend me 83 milionë banorë që vlerëson stabilitetin. Kjo është hera e gjashtë në historinë e saj të pasluftës që një kancelar e thërret një votëbesim.
I fundit ishte në vitin 2005, kur kancelari i atëhershëm, Gerhard Schröder orkestroi zgjedhje të parakohshme që u fituan ngushtë nga sfiduesja e qendrës së djathtë, Angela Merkel.
Scholzi humb votëbesimin, Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka humbur një votëbesim në Parlament, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt.
Scholzi kishte kërkuar votëbesimin në Bundestag, që u mbajt të hënën, dhe priste ta humbiste atë. Ai ka kalkuluar se zgjedhjet e parakohshme janë shansi i tij më i mirë për ta ringjallur partinë e tij.
Votëbesimi vjen rreth dy muaj pas rënies së qeverisë së koalicionit trepartiak të Scholzit, e cila e la kancelarin duke udhëhequr një qeveri të pakicës.
Në fjalimin e tij të hënën në Bundestag, Scholzi ka thënë se synon ta forcojë besimin në të ardhmen e vendit.
"Është qëllimi im të thërras zgjedhje të përgjithshme të parakohshme... Ne kemi nevojë për më shumë rritje ekonomike...Asnjë votues nuk mund t’i kishte parashikuar sfidat me të cilat do të përballeshim gjatë tre vjetëve të fundit”, ka deklaruar ai.
Duke pasur parasysh ekonominë e bllokuar të Gjermanisë dhe krizat globale me të cilat përballet Perëndimi, pritja deri në datën e zgjedhjeve të rregullta në shtator të vitit 2025 mund të shiheshin si të papërgjegjshme nga elektorati.
Partia Social Demokratike (SDP) e Scholzit është shumë prapa në sondazhet e opinionit, ndërsa Unioni Kristian Demokrat (CDU) konservator e Friedrich Merz duket se është në rrugën e duhur për një rikthim në qeveri.
Lëvizja “kamikaze”
Vendimi i Scholzit për të organizuar një votëbesim, që ai priste ta humbiste për të shpërndarë qeverinë e tij, u përshkrua si një lëvizje "kamikaze" nga tabloidi gjerman “Bild”, ndonëse në përgjithësi është e vetmja mënyrë që një qeveri gjermane të shpërndajë Parlamentin dhe të nxisë zgjedhje të parakohshme.
Procesi u hartua posaçërisht nga themeluesit e Gjermanisë moderne të pasluftës për të shmangur paqëndrueshmërinë politike të epokës së Weimarit.
Votëbesimi nuk është një krizë politike në vetvete: është një mekanizëm standard kushtetues që është përdorur nga kancelarët modernë gjermanë pesë herë për të kapërcyer ngërçin politik.
Megjithatë, ka një problem më të thellë brenda politikës gjermane.
Shembja e koalicionit u shkaktua nga një sherr për financat. SDP-ja e qendrës së majtë të Scholzit dhe partnerët e tij të Gjelbër donin të lehtësonin rregullat strikte të borxhit të Gjermanisë për të financuar mbështetjen për Ukrainën dhe projektet kryesore të infrastrukturës.
Kjo u bllokua nga vetë ministri i Financave i Scholzit, Christian Lindner i cili është kreu i Partisë Liberale Demokratike të Lirë (FDP), një parti miqësore për biznesin, e cila i dha përparësi uljes së borxhit.
Lindner u shkarkua dhe koalicioni u shemb.
Sistemi politik partiak i Gjermanisë është bërë më i fragmentuar, me më shumë parti se kurrë në Parlament. Forcat e reja politike janë gjithashtu më radikale.
Në vitin 2017, Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) hyri për herë të parë në Bundestag, duke fituar 12.6% të votave. Në vitin 2021 ajo ra në 10.4%, por tani po anketohet në pothuajse 20%.
Scholzi humb votëbesimin në Parlament, hapet rruga për zgjedhje
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka humbur votëbesimin në Parlament të hënën, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt.
Nga 717 votat e numëruara, 207 i dhanë Scholzit besimin e tyre, 394 jo dhe 116 abstenuan.
Tani kancelari do t'i kërkojë presidentit Frank-Walter Steinmeier ta shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.
Scholz kishte ftuar votimin e së hënës dhe priste ta humbiste atë, duke llogaritur se shkaktimi i zgjedhjeve të parakohshme ishte shansi i tij më i mirë për ta ringjallur pasurinë politike të partisë së tij, raporton BBC.
Kjo vjen rreth dy muaj pas rënies së qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholz-it, e cila e la kancelarin të udhëheqë një administratë të pakicës.
Përpara votimit të së hënës, Scholz ka thënë se tani do të jetë në dorën e votuesve të "përcaktojnë kursin politik të vendit tonë”.
Merzi akuzon Scholzin për minimin e Gjermanisë në skenën evropiane
Lideri i KristianDemokratëve (CDU), Friedrich Merz, i cili pritet të pasojë Scholzin si kancelar i ardhshëm i Gjermanisë pas zgjedhjeve të shkurtit, ka akuzuar kancelarin aktual se nuk ishte i aftë të drejtonte me sukses koalicionin e tij qeverisës.
"Olaf Scholz nuk ishte në gjendje të drejtonte me sukses koalicionin si kancelar”, është shprehur Merz në seancën e parlamentit gjerman, ku pikë e vetme e rendit të ditës është votëbesimi ndaj qeverisë së Scholzit.
Udhëheqësi konservator i opozitës ka shtuar se cilësitë e mangëta drejtuese të Scholzit minuan vendin e Gjermanisë në skenën evropiane.
“Është e turpshme se si veprove në Bashkimin Evropian”, është shprehur Merz.
Ai po ashtu ka thënë se dita e sotme është “ditë lehtësimi”.
Scholz: Është qëllimi im të thërras zgjedhje të parakohshme
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar të hënën në Parlament se qëllimi i tij është të thërras zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
Ai ka deklaruar se synon të forcojë besimin në të ardhmen e vendit.
"Është qëllimi im të thërras zgjedhje të përgjithshme të parakohshme... Ne kemi nevojë për më shumë rritje ekonomike”, ka deklaruar Scholz në fjalimin e tij.
Scholzi ka përmendur gjithashtu domosdoshmërinë e investimeve për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
“Asnjë votues nuk mund të kishte parashikuar sfidat me të cilat do të përballeshim gjatë tri vjetëve të fundit”, ka shtuar ai.
Gjatë fjalimit të tij, Scholzi ka ripërsëritur kundërshtimin për të dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.
Scholz, i cili ka bërë fushatë me premtimin për të qenë një "kancelar paqeje" kundër qasjes më të ashpër të Merzit ndaj Rusisë, ka kundërshtuar po ashtu dërgimin e ushtarëve gjermanë në luftën në Ukrainë.