Botë

Scholzi në takim të rrallë me Vuçiqin për “marrëveshjen e litiumit”

Olaf Scholz & Aleksandar Vuçiq

Pavarësisht se është lënë kryesisht si i izoluar nga liderët perëndimorë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u katapultuar sërish në qendër të vëmendjes politike falë oreksit të pangopur të Bashkimit Evropian – dhe veçanërisht Gjermanisë – për lëndët e para të nevojshme për prodhimin e automjeteve elektrike, shkruan “Politico” të martën.

Kancelari gjerman Olaf Scholz planifikon të udhëtojë në Beograd të premten në një vizitë të papritur për të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis BE-së dhe Serbisë për importimin e mineraleve, përfshirë litiumin, që janë kritike për tranzicionin digjital dhe të gjelbër të BE-së.

Vuçiqi ishte kryesisht i izoluar mes liderëve evropianë për shkak të flirteve me Rusinë dhe Kinën, tensionet me Kosovën dhe akuzat për mashtrime zgjedhore.

Gjermania, si prodhuesi më i madh i veturave në BE, ka interes të madh në sigurimin e litiumit - veçanërisht brenda Evropës për të reduktuar varësinë nga Kina. Sidoqoftë, është e pazakontë që Scholzi të bëjë një udhëtim si ky dhe ta njoftojë veç pak ditë para se të ndodhë. Zyra e kancelarit nuk ka pranuar të komentojë.  

Qeveria e Serbisë njoftoi të martën se do të rifillonte punën në një projekt të minierave të litiumit në perëndim të vendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese javën e kaluar që përmbysi anulimin e operacioneve në miniera. Qeveria në Beograd pati ndaluar projektin dhe pati anuluar licencat e dhëna për gjigantin e minierave britaniko-australiane “Rio Tinto” pas protestave masive më shumë se dy vjet më parë.

Në ceremoninë e nënshkrimit mes Scholzit dhe Vuçiqit pritet të marrë pjesë edhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefcovich.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, kishte menduar t'i bashkohej udhëtimit, por pjesëmarrja e saj është e pasigurt pasi të enjten i duhet mbështetja e Parlamentit Evropian për t’u konfirmuar edhe për një mandat të dytë.

Komisioni Evropian nuk pranoi të komentonte. Shefcovich pati thënë në maj se marrëveshja e litiumit me Serbinë mund të finalizohej “në një periudhë të shkurtër kohore”.

Miniera e Jadarit, pranë qytetit të Loznicas në Serbinë perëndimore, mban disa nga rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë. Vuçiqi i tha “Financial Times” muajin e kaluar se miniera, të cilën presidenti serb e pret të hapet në vitin 2028, do të prodhojë 58 mijë ton litium në vit. Kjo do të ishte e barabartë me 17 për qind të prodhimit të automjeteve elektrike në Evropë ose 1.1 milionë vetura.

OJQ-të mjedisore dhe banorët e Loznicas kanë paralajmëruar se ndërtimi i minierës mund të çojë në shkatërrimin e habitatit dhe ndotjen e ujit. Shumë kanë frikë gjithashtu nga zhvendosja e mundshme e banorëve në zonë.