Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka konfirmuar të mërkurën se tri grupet kryesore centriste të Parlamentit Evropian do të mbështesin Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit, një marrëveshje për të cilën kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se injoroi vullnetin e votuesve.
Në një fjalim në Parlamentin gjerman, Scholzi ka thënë se grupet kishin rënë dakord gjithashtu që ish-kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, të ishte president i Këshillit Evropian, dhe kryeministrja estoneze, Kaja Kallas të ishte shefja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, raporton Reuters.
Të tri grupet e kombinuara kanë një shumicë në Parlamentin Evropian (PE), vuri në dukje Scholzi, duke shtuar se ai shpresonte se në takimin e krerëve të BE-së të enjten do të nënshkruhej marrëveshja.
"Ne nuk mund të lejojmë të zvarritim këmbët tona në këto kohë të vështira”, ka deklaruar Scholzi, duke shtuar se zgjedhjet e BE-së këtë muaj kanë treguar se si krizat e shumta, nga pandemia e koronavirusit deri te pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe lufta në Lindjen e Mesme, kishin shkatërruar besimin në Bashkimi Evropian dhe qeveritë kombëtare.
“Partitë populiste, të cilat performuan fuqishëm në zgjedhje, po shfrytëzojnë shqetësimet e qytetarëve për qëllimet e tyre”, është shprehur ai.
Më herët të mërkurën, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni kritikoi planin për të ndarë postet më të rëndësishme në BE midis tri grupeve kryesore, duke thënë se ata injoruan suksesin e partive të krahut të djathtë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
“Nuk kam parë deri më tani gatishmëri për të marrë parasysh atë që qytetarët kanë deklaruar në kutinë e votimit”, ka thënë Meloni para deputetëve.
Partia e saj konservatore “Vëllezërit e Italisë” mori më shumë vota në Itali dhe është forca kryesore në Partinë Konservatore dhe Reformiste Evropiane (ECR) në PE.
Meloni ka thënë se grupi i saj ECR, i cili ka kaluar liberalët në asamblenë e BE-së, meritonte të kishte një rol në emërimet e reja.
Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) doli e dyta në zgjedhjet e PE-së në Gjermani, përpara të tri partive në koalicionin e përçarë trepalësh të Scholzit.
LEXO EDHE: