Botë

Scholzi i kërkon Xi-së ta bindë Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Olaf Scholz dhe Xi Jinping

Olaf Scholz dhe Xi Jinping

Foto: Associated Press

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se ai i kërkoi udhëheqësit kinez, Xi Jinping të martën që të bënte presion ndaj Rusisë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Kina nuk është palë në krizën e Ukrainës, por ka promovuar vazhdimisht bisedimet për paqen në mënyrën e vet”, thuhet në një deklaratë të Kinës pas bisedimeve mes Xi dhe Scholz në kryeqytetin kinez, raporton AP.

Në përfundim të një vizitë treditore në Pekin, Scholzi u ka thënë gazetarëve se ai beson se "është vendosur një bllok ndërtimi" që do të kontribuojë në diskutimet mbi përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës. 

Më parë, ai ka thënë në një postim në X se ai i kishte kërkuar Xi-t të përdorte ndikimin e tij me Rusinë. 
“Fjala e Kinës ka peshë në Rusi. Kështu që i kërkova presidentit Xi të ndikojë në Rusi, në mënyrë që Putini më në fund të ndërpresë fushatën e tij të çmendur, të tërheqë trupat e tij dhe t'i japë fund kësaj lufte të tmerrshme”, ka shkruar kancelari gjerman.

Kina është shkëputur me Perëndimin duke refuzuar të kritikojë operacionin ushtarak të Rusisë. Ndonëse Qeveria thotë se nuk po dërgon ndihmë ushtarake në Moskë, ajo i ka siguruar një “ndihmë ekonomike” duke rritur tregtinë me Rusinë, duke e ndihmuar atë të përballet me sanksionet perëndimore.  

Një raport i inteligjencës amerikane javën e kaluar zbuloi se Pekini ka rritur shitjet e pajisjeve në Moskë për të rritur indirekt përpjekjet e tij të luftës kundër Ukrainës. Scholz theksoi rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.  

Ai ka thënë se beson se "me takimet që mbajtëm këtu, është vendosur një bllok ndërtimi" që do të kontribuojë në diskutimet mbi përpjekjet diplomatike.