Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka humbur të hënën në Bundestag votëbesimin që e kishte kërkuar vetë disa ditë më parë. Ky votim hap rrugën e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Gjermani, të cilat pritet të mbahen në shkurt
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka humbur një votëbesim në Parlament, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt.
Scholzi kishte kërkuar votëbesimin në Bundestag, që u mbajt të hënën, dhe priste ta humbiste atë. Ai ka kalkuluar se zgjedhjet e parakohshme janë shansi i tij më i mirë për ta ringjallur partinë e tij.
Votëbesimi vjen rreth dy muaj pas rënies së qeverisë së koalicionit trepartiak të Scholzit, e cila e la kancelarin duke udhëhequr një qeveri të pakicës.
Në fjalimin e tij të hënën në Bundestag, Scholzi ka thënë se synon ta forcojë besimin në të ardhmen e vendit.
"Është qëllimi im të thërras zgjedhje të përgjithshme të parakohshme... Ne kemi nevojë për më shumë rritje ekonomike...Asnjë votues nuk mund t’i kishte parashikuar sfidat me të cilat do të përballeshim gjatë tre vjetëve të fundit”, ka deklaruar ai.
Duke pasur parasysh ekonominë e bllokuar të Gjermanisë dhe krizat globale me të cilat përballet Perëndimi, pritja deri në datën e zgjedhjeve të rregullta në shtator të vitit 2025 mund të shiheshin si të papërgjegjshme nga elektorati.
Partia Social Demokratike (SDP) e Scholzit është shumë prapa në sondazhet e opinionit, ndërsa Unioni Kristian Demokrat (CDU) konservator e Friedrich Merz duket se është në rrugën e duhur për një rikthim në qeveri.
Lëvizja “kamikaze”
Vendimi i Scholzit për të organizuar një votëbesim, që ai priste ta humbiste për të shpërndarë qeverinë e tij, u përshkrua si një lëvizje "kamikaze" nga tabloidi gjerman “Bild”, ndonëse në përgjithësi është e vetmja mënyrë që një qeveri gjermane të shpërndajë Parlamentin dhe të nxisë zgjedhje të parakohshme.
Procesi u hartua posaçërisht nga themeluesit e Gjermanisë moderne të pasluftës për të shmangur paqëndrueshmërinë politike të epokës së Weimarit.
Votëbesimi nuk është një krizë politike në vetvete: është një mekanizëm standard kushtetues që është përdorur nga kancelarët modernë gjermanë pesë herë për të kapërcyer ngërçin politik.
Megjithatë, ka një problem më të thellë brenda politikës gjermane.
Shembja e koalicionit u shkaktua nga një sherr për financat. SDP-ja e qendrës së majtë të Scholzit dhe partnerët e tij të Gjelbër donin të lehtësonin rregullat strikte të borxhit të Gjermanisë për të financuar mbështetjen për Ukrainën dhe projektet kryesore të infrastrukturës.
Kjo u bllokua nga vetë ministri i Financave i Scholzit, Christian Lindner i cili është kreu i Partisë Liberale Demokratike të Lirë (FDP), një parti miqësore për biznesin, e cila i dha përparësi uljes së borxhit.
Lindner u shkarkua dhe koalicioni u shemb.
Sistemi politik partiak i Gjermanisë është bërë më i fragmentuar, me më shumë parti se kurrë në Parlament. Forcat e reja politike janë gjithashtu më radikale.
Në vitin 2017, Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) hyri për herë të parë në Bundestag, duke fituar 12.6% të votave. Në vitin 2021 ajo ra në 10.4%, por tani po anketohet në pothuajse 20%.
