Botë

Scholzi akuzon Rusinë dhe Kinën për sulme kibernetike ndaj Gjermanisë

Olaf Scholz

Foto: Associated Press

Siguria kibernetike dhe infrastruktura në Gjermani janë nën “kërcënim të rëndë” nga kundërshtarë të huaj si Rusia dhe Kina, ka thënë të mërkurën kancelari gjerman, Olaf Scholz në Bundestag.

“Siç e dimë të gjithë, shkaqet kryesore të sulmeve të këtij lloji që ndikojnë në sigurinë tonë kibernetike vijnë nga Rusia. Dhe sigurisht që vijnë herë pas here edhe nga Kina”, ka deklaruar Scholz, raporton Politico.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të martën mbrëma se një hakim i madh kinez i furnizuesve globalë të telekomit po vazhdon. Gjithashtu ka pasur ndërprerje pas dëmtimit të dy kabllove me fibra optike nënujore në Detin Baltik, gjë që shkaktoi dyshime për sabotim.

Në një incident të veçantë, ekuipazhi i një anijeje ruse dyshohet se ka qëlluar në një helikopter të Bundeswehr-it në Detin Baltik me municion sinjalizues, sipas një raporti të agjencisë gjermane të lajmeve DPA.

“Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për t'u armatosur kundër sulmeve të tilla”, ka thënë Scholz kur u pyet për incidentet e fundit. 

Kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë javën e kaluar paralajmëroi se zyrtarët e lartë në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë dyshonin nëse vendet e NATO-s do t'i përmbaheshin një klauzole të mbrojtjes reciproke të parashikuar në traktatin e NATO-s.

Sipas tij, Moska mund të organizojë një ndërhyrje të kufizuar nën pretekstin e mbrojtjes së pakicave ruse në territoret aleate të NATO-s, duke testuar kështu qëndrueshmërinë e të ashtuquajturit Neni 5, me shpresën që do të çonte në kolapsin e aleancës.

I pyetur për negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, Scholzi ka thënë se vendimet nuk mund të merren "mbi kokën e Ukrainës", por se i takon Kievit të shqyrtojë se si duhet të vazhdojnë gjërat.

Marrë parasysh një bisedë telefonike një orëshe që pati me presidentin rus Vladimir Putin javë më parë, Scholzi ka thënë se presidenti rus nuk ka treguar se dëshiron të bëjë asgjë në drejtim të paqes.