Botë

Scholz e Macron kërkojnë nga Putini armëpushim e tërheqje të trupave nga Ukraina

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës zhvilluan një telefonatë me Vladimir Putinin të shtunën, në të cilën ata i kërkuan presidentit rus që të binte dakord për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe të tërhiqte trupat ruse nga vendi, thanë zyrtarët gjermanë, raporton CNN.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron folën me Putinin për 80 minuta “me iniciativën e tyre”, sipas zyrës së shtypit të qeverisë gjermane.

“Kancelari gjerman dhe presidenti francez kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse. Ata i bënë thirrje presidentit rus që të angazhohet në negociata serioze të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, dhe të gjejë një zgjidhje diplomatike për konfliktin”, thuhet në njoftimin e qeverisë gjermane.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të premten se negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës ishin ngrirë. Ai gjithashtu akuzoi Kievin për deklarata "kontradiktore" që Moska nuk i kuptonte.

Një ditë më parë, Peskov tha se Moska priste që Kievi të pranonte status quo-në dhe të përmbushte kërkesat e saj territoriale, pas komenteve të ish-sekretarit të shtetit të SHBA-së, Henry Kissinger, që dukej se sugjeronte se Ukraina duhet të pranonte t'i jepte Rusisë Krimenë dhe pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit.

Në një intervistë javën e kaluar me Reuters, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak përjashtoi mundësinë e marrëveshjes për një armëpushim me Rusinë dhe tha se Kievi nuk do të pranonte asnjë marrëveshje me Moskën që përfshin cenimin e territorit.