Botë

Sanksionohen 4 zyrtarë të lartë të Republikës Serbe për minimin e Marrëveshjes së Daytonit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënën nën sanksione katër zyrtarët më të lartë të entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, për lehtësimin e miratimit të ligjit që e minon Marrëveshjen e Daytonit. E këtë veprim, anëtarja serbe e Presidencës së vendit, Zhelka Cvijanoviq, e kualifikoi si “një trik për t’i kënaqur boshnjakët”. Ndërkaq kryetari i sanksionuar që më parë i entitetit serb, Milorad Dodik, e quajti veprimin si dëshmi të pafuqisë së SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë vendosur sanksione katër zyrtarëve më të lartë të entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë anëtaren serbe të Presidencës së vendit, për minimin e marrëveshjes paqësore, të sponsorizuar nga SHBA-ja, që i dha fund luftës së viteve ‘90 në shtetin ballkanik.

Masa kundër anëtares së Presidencës, Zhelka Cvijanoviq, si dhe kryeministrit Radovan Vishkoviq, ministrit të Drejtësisë, Milosh Bukejloviq, e kryetarit të Parlamentit të Republikës Serbe, Nenad Stevandiq, u zbatua shkaku se ata e lehtësuan kalimin e një ligji që e minon Kushtetutën e shtetit, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Por anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, i kualifikoi sanksionet amerikane ndaj saj dhe zyrtarëve të tjerë më shumë si “një trik për t’i kënaqur boshnjakët sesa për t’i ndëshkuar të sanksionuarit”. E rreth votimit të mëhershëm ajo e quajti “idiotësi” pranimin si gjë normale që disa të huaj të pazgjedhur të bëjnë ligje për vendin e jo institucionet lokale.

“Posaçërisht duke qenë se ato nuk i kontribuojnë zgjidhjes së asnjë problemi, janë thjesht një tregues se nuk ka strategji reale, e as vullnet për ta kthyer stabilitetin politik dhe rregullin kushtetues në vend”, tha Cvijanoviq më 1 gusht për Srna, agjencinë e lajmeve të Republikës Sërpska.

Presidenti separatist e pro-rus i rajonit, Milorad Dodik, ndërkaq ka theksuar se nuk e brengosin sanksionet, ngase ato, siç tha, e demonstrojnë pafuqinë e Shteteve të Bashkuara.

Millorad Dodik, ka thënë se “nuk është i brengosur për sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj anëtares serbe të Presidencës së BeH, Zheljka Cvijanoviq dhe tre zyrtarëve të RS-së, sepse ato tregojnë pafuqinë e SHBA-së. Ai ka shkruar në Twitter se SHBA-ja nuk i ka përzgjedhur zyrtarët në Republikën Serbe dhe nuk mund as t’i zëvendësojë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë zgjedhur zyrtarët e RS, prandaj as nuk mund t’i shkarkojnë ata. SHBA-ja mendon se në këtë mënyrë mund të disiplinojnë këdo që nuk mendon si ata. Sanksionet tregojnë edhe pafuqinë e një fuqie të madhe globale siç është SHBA-ja. Pavarësisht çdo gjëje ata duan ta sanksionojnë këtë popull sepse ne jemi përfaqësuesit e popullit. Ata duan të na zëvendësojnë që të vijë dikush që do të heshtë dhe do të aprovojë gjithçka. Nuk kemi gajle për këto sanksione”, ka shkruar Dodik.

Marrëveshja e Dejtonit krijoi dy entitete të dallueshme brenda Bosnjë-Hercegovinës: Republikën Sërpska dhe Federatën e Bosnjë-Hercegovinës. E para ka një shumicë serbe, ndërsa e dyta është e populluar kryesisht nga boshnjakët, e ndjekur më pas nga kroatët.

Të dy entitetet funksionojnë nën një qeveri federale që përfshin përfaqësues nga grupet kryesore etnike të vendit.

Kjo përfshin edhe Gjykatë Kushtetuese prej nëntë anëtarësh, roli i së cilës u formësua nga Marrëveshja e Dejtonit. Me gjyqtarë të zgjedhur nga të gjithë grupet etnike të vendit, gjykata jep fjalën e fundit mbi kushtetutshmërinë e ligjeve të vendit.

Por SHBA-ja e ka denoncuar ligjin e ri të Republikës Sërpska, si një kërcënim për atë autoritet. Ligji i ri i shpall të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese në territorin e Republikës Sërpska.

Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës është derivat i Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës së viteve 1992-1995 dhe e ndau vendin në dy rajone autonome – Republikën Serbe dhe Federatën boshnjako-kroate – të lidhur me një qeveri të dobët qendrore. E në fund të qershorit, ligjvënësit në Republikën Serbe votuan për pezullimin e vendimeve që dalin nga Kushtetuta, në një votim të iniciuar nga Dodiku, që veçse është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Daytonit.

SHBA-ja e pati denoncuar Ligjin e ri si kërcënim. E pas miratimit të tij, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjë-Hercegovinën, Christian Schimdt, e pati përdorur autoritetin e tij, duke e shfuqizuar dhe dënuar publikisht Ligjin, për të cilin tha se e minon rendin kushtetues, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit.