Masat përfshijnë futjen në listë të zezë të kompanive ruse, dëbimin e dhjetë diplomatëve rusë dhe vendosjen e kufizimeve për borxhin sovran të Rusisë. Penallti të tjera mund të pasojnë, megjithëse Washingtoni nuk synon që t’i përshkallëzojë gjërat, ka njoftuar të enjten administrata e presidentit, Joe Biden, duke i shpalosur masat më të ashpra ndaj vendit të Vladimir Putinit, që nga afera e ndërhyrjes në zgjedhje, më shumë se katër vjet më parë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur të enjten Rusisë një gamë të gjerë sanksionesh, në shenjë të qartë ndëshkimi për ndërhyrjen e pretenduar të vendit në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-s, sulmet e vazhdueshme kibernetike, ngacmimet në Ukrainë dhe veprimet e tjera “malinje”.
Masat përfshijnë futjen në listë të zezë të kompanive ruse, dëbimin e dhjetë diplomatëve rusë dhe vendosjen e kufizimeve për borxhin sovran të Rusisë. Penallti të tjera mund të pasojnë, megjithëse Washingtoni nuk synon që t’i përshkallëzojë gjërat, ka njoftuar të enjten administrata e presidentit, Joe Biden, duke i shpalosur masat më të ashpra ndaj vendit të Vladimir Putinit, që nga afera e ndërhyrjes në zgjedhje, më shumë se katër vjet më parë.
Kundër tyre, Moska ka reaguar me ashpërsi, duke pretenduar se veprimi i ngre rrezikshëm tensionet midis dy vendeve. Ka tërhequr ambasadorin amerikan, për atë që e ka cilësuar si një bisedë e vështirë.
Mes masave, presidenti Joe Biden ka lëshuar edhe një urdhër ekzekutiv, me të cilin ka autorizuar Qeverinë amerikane që ta sanksionojë çdo sektor të ekonomisë ruse dhe që ta përdorë atë për t’ia kufizuar Rusisë aftësinë për të lëshuar borxh sovran në një veprim ndëshkues ndaj Moskës për ndërhyrjen në zgjedhje, akuzë kjo të cilën Moska zyrtare e ka mohuar vazhdimisht.
Bideni madje ua ka ndaluar institucioneve financiare amerikane pjesëmarrjen në tregun primar të bonove sovrane ruse me valutën e rublës, duke nisur nga 14 qershori. Njëherësh bankat amerikane e kanë pasur të ndaluar pjesëmarrjen në treg qysh nga 2019-a.
Thesari amerikan ka përfshirë gjithashtu në listë të zezë 32 entitete dhe individë, për të cilët ka pretenduar t’i kenë ekzekutuar përpjekjet e drejtuara nga Qeveria ruse për të influencuar zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-s dhe “aktet e tjera dezinformuese dhe ndërhyrëse”.
Në ujdi me Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe, Australinë dhe Kanadanë, Thesari ka sanksionuar gjithashtu gjashtë individë të lidhur me okupimin e vazhdueshëm dhe represionin e Rusisë në Krime, të cilin vendi e kishte aneksuar nga Ukraina më 2014.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse ka thënë se Moska do t’u kundërpërgjigjet sanksioneve brenda një të ardhmeje të afërt.
Rusia ka hedhur poshtë përfshirjen në fushatën e ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane dhe atë të orkestrimit të një sulmi kibernetik, në kuadër të së cilit është përdorur kompania teknologjike amerikane “SolarWinds Corp SWI.N” për të penetruar në rrjetet qeveritare të SHBA-së. Ka mohuar, po ashtu, përdorimin e agjentit nervor për helmimin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.
I ka përjashtuar po kështu edhe pretendimet se ka vënë haraç për kokat e ushtarëve amerikanë në Afganistan.
“Vazhdimisht i kemi paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pasojat e veprimeve të tyre armiqësore, të cilat e ngrenë rrezikshëm temperaturën në konfrontimin midis dy vendeve tona”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.
Mes dhjetë diplomatëve të dëbuar me urdhrin e Shtëpisë së Bardhë, përfshihen përfaqësues të shërbimeve të Inteligjencës ruse, ndërsa për të parën herë është përmendur Shërbimi rus i Inteligjencës së Jashtme (SVR) si kryerëse e sulmit kibernetik “SolarWinds”.
Qeveria amerikane planifikon që ta lëshojë edhe një tjetër urdhër ekzekutiv për ta ndihmuar fuqizimin e sigurisë së saj kibernetike, ka thënë një zyrtar amerikan për gazetarët, duke sugjeruar se ai mund të përfshijë elementë të tillë, si enkriptimin dhe autenticitetin multifaktorial.
Agjencitë amerikane të Inteligjencës kanë besim “të ulët drejt të moderuarës” në vlerësimin e tyre se Rusia u ka ofruar haraçe militantëve të lidhur me talebanët për vrasjen e ushtarëve amerikanë në Afganistan, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan para gazetarëve.
“Duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështje, e cila përfshinë sigurinë dhe mirëqenien e forcave tona, është duke u trajtuar nëpërmjet kanaleve diplomatike, ushtarake dhe të Inteligjencës”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Bidenit, Jake Sullivan, i përshkroi sanksionet si “masa proporcionale për mbrojtjen e interesave amerikane në kundërpërgjigje ndaj veprimeve të dëmshme ruse”. “Synimi i Bidenit është që të sigurohet një përgjigje domethënëse dhe kredibile, por jo përshkallëzimi i situatës”, ka thënë ai për CNN.
Masa ka shkaktuar menjëherë rënien e vlerës së rublës ruse për më shumë se 2 për qind krahasuar me dollarin, ndërsa me euron atë më të ulëtën në pesë muajt e fundit.