SHBA-ja të mërkurën ka vendosur sanksione të reja për qindra firma dhe persona të lidhur me programet e Rusisë të zhvillimit të armëve, dhjetëra firma kineze të akuzuar se po ndihmojnë Rusinë në gjetjen e zgjidhjeve për t’i shmangur sanksionet dhe individë të lidhur me vdekjen e opozitarit rus Alexey Navalny, raporton agjencia “AP”.
Sanksionet e vendosura nga Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit synojnë bazën e industrisë ushtarake të Rusisë, programet e armëve kimike dhe njerëzit e firmat e shteteve të treta që e ndihmojnë Rusinë të marrë komponentë armësh, ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, ka thënë se veprimi “do të godasë aftësitë luftarake të Rusisë”.
Sanksionet vijnë ndërsa Senati ka dhënë një aprovim përfundimtar të një legjislacioni që ndalon importin e uraniumit rus, duke rritur përpjekjet e SHBA-së për ta ndërprerë luftën e Rusisë në Ukrainë. Presidenti i SHBA-së pritet ta nënshkruajë ligjin.
Një grup prej 16 objektivash në Kinë dhe Hong Kong, shumica e të cilave akuzohen se kanë ndihmuar Rusinë t’i shmangë sanksionet, janë përfshirë në listën e sanksioneve.
Firmat në vende si Kinë, Azerbajxhan, Belgjikë, Sllovaki, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohen se kanë ndihmuar Risinë të blejë teknologji dhe pajisje nga jashtë. Dënimet synojnë t’i bllokojnë ata nga përdorimi i sistemit financiar të SHBA-së dhe t’i ndalojë qytetarët amerikanë të merren me ta.