Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka marrë mbështetje të gjerë, pas deklaratave se do të shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes si pasojë e akuzave për korrupsion ndaj bashkëshortes së tij, Begona Gomez. Mijëra gazetarë të vendit po e përkrahin me nënshkrimin e një manifesti online, në të cilin theksohet se sulmi ndaj bashkëshortes së kreut të Qeverisë është përpjekje për të përmbysur vullnetin e popullit. Të shtunën në Madrid janë mbajtur edhe protesta në mbështetje të kryeministrit
Me mijëra gazetarë spanjollë i kanë dalë në mbështetje kryeministrit Pedro Sanchez, pas njoftimit se mund ta shqyrtojë opsionin e dorëheqjes shkaku i nisjes së hetimeve gjyqësore ndaj bashkëshortes së tij lidhur me akuzat për korrupsion.
Sanchezi i kualifikoi hetimet si sulme të rreme nga kundërshtarët e tij të së djathtës dhe të së djathtës ekstreme nëpër media e parti politike.
Në mbështetje të tij, mijëra gazetarë e shkrimtarë e nënshkruan një manifest online, në të cilin theksohet se sulmi nga mediat dhe ekstremi i djathtë gjyqësor ndaj bashkëshortes së kryetarit të Qeverisë është përpjekje e re, me anë të mjeteve të paligjshme, për të përmbysur vullnetin e popullit të shprehur në qendra të votimit.
Ankesa ligjore ndaj bashkëshortes së Sanchezit, Begona Gomez, është deponuar nga një platformë ligjore e ekstremit të djathtë dhe në të thuhet se Gomezi e ka përdorur pozitën e saj për të ndikuar në disa marrëveshje biznesi.
Grupi i njohur si “Manos Limpias”, apo “Duart e Pastra”, njoftoi se ankesa bazohet në artikuj gazetash. Por prokurorë spanjollë pretendojnë se ajo duhet të rrëzohet.
“Gazetarët e poshtëshënuar ftojnë shoqërinë civile që t'i bashkohet këtij manifesti dhe të mobilizohen në rrjetet sociale dhe në rrugë kundër këtij zemërimi antidemokratik”, thuhej në manifestin e së premtes. “Qeveritë zgjidhen dhe ndërrohen në kutitë e votimit dhe në Parlament”.
Partia Popullore e qendrës së djathtë në opozitë, megjithatë, ka thënë se sjellja e Sanchezit ishte një dredhi patetike në përpjekje për të fituar mbështetje për zgjedhjet e ardhshme rajonale dhe evropiane.
Mbështetësit e kryeministrit Sanchez dhe bashkëshortes së tij, Gomez, kanë zhvilluar edhe protesta të shtunën në Madrid, jashtë selisë së partisë qeverisëse socialiste.
Kjo vjen pas njoftimit të Sanchezit se ai po konsideronte të ardhmen e tij si kryeministër pasi një gjykatë hapi procedurat paraprake kundër gruas së tij Begoña Gómez mbi akuzat për korrupsion.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i ka pezulluar detyrat publike “për të ndaluar dhe reflektuar” nëse do të vazhdojë punën pas njoftimit të gjykatës.
Në një deklaratë, lideri spanjoll ka thënë se ai kishte nevojë të vendoste urgjentisht “nëse duhet të vazhdojë ta udhëheqë qeverinë apo të heqë dorë nga ky nder”.
Sanchez ka deklaruar se gruaja e tij do të mbronte nderin e saj dhe do të bashkëpunonte me gjyqësorin.
“Manos Limpias” (Duart e Pastra) kanë marrë pjesë në një numër çështjesh gjyqësore të profilit të lartë në vitet e fundit, dhe udhëhiqen nga një njeri i lidhur me të djathtën ekstreme.
Kryeministri spanjoll ka thënë se do të merrte një vendim të hënën më 29 prill pasi të reflektojë nëse ia vlen të qëndrojë në detyrë, “pavarësisht baltës” në të cilën e djathta ekstreme po përpiqet ta kthejë politikën.