NATO-ja është e fokusuar ashpër në mbështetjen e Ukrainës, ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte të enjten, përpara një takimi të diplomatëve më të lartë të aleancës, ku do të marrë pjesë edhe sekretari i amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
"Ky nuk është një takim, natyrisht, për çështjet dhe temat ekonomike. Ne jemi vërtet të përqendruar. Fokusi këtu i të 32 vendeve anëtare është se si të mbrojmë territorin e NATO-s kundër rusëve, kërcënimi ynë afatgjatë, i cili do të ekzistojë edhe pasi shpresoj se do të ketë një marrëveshje për Ukrainën. Kërcënimi rus do të jetë atje për shumë vite në vijim."
Rutte ka theksuar se bisedimet do të përqendrohen në mbrojtjen dhe nuk do të trajtojnë tarifat gjithëpërfshirëse të shpallura nga Trumpi të mërkurën.
Aleatët evropianë dhe Kanadaja janë thellësisht të shqetësuara nga gatishmëria e presidentit, Donald Trump për t'u afruar më shumë me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, i cili e sheh NATO-n si një kërcënim, ndërsa SHBA-ja punon për të ndërmjetësuar një armëpushim në Ukrainë.
Komentet dhe fyerjet e fundit të Shtëpisë së Bardhë drejtuar aleatëve të NATO-s, Kanadasë dhe Danimarkës, si dhe vetë aleancës ushtarake, kanë ngritur alarmin dhe konfuzionin, veçanërisht me tarifat e reja të SHBA-së që synojnë miqtë dhe armiqtë e SHBA-së.
Rubio: Duam që NATO-ja të jetë më e fortë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari i ri i administratës Trump në NATO, Matt Whitaker kanë siguruar të enjten aleatët e NATO-s lidhur me angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës.
Rubio ka kritikuar "histerinë dhe hiperbolën" në media në lidhje me qëllimet e presidentit, Donald Trump, pavarësisht sinjaleve të vazhdueshme nga Uashingtoni se NATO-ja siç ka ekzistuar për 75 vjet mund të mos jetë më e rëndësishme, raporton AP.
Rubio dhe Whitaker janë në Bruksel për një takim të ministrave të Jashtëm të aleancës, gjatë të cilit shumë shpresojnë se Rubio do të hedhë dritë mbi planet e SHBA-së për sigurinë në Evropë.
"Shtetet e Bashkuara janë po aq aktive në NATO sa kanë qenë”, u ka thënë Rubio gazetarëve para takimit.
"Dhe një pjesë e kësaj histerie dhe hiperbole që shoh në mediat globale dhe disa media vendase në Shtetet e Bashkuara për NATO-n është e pajustifikuar. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se mbështet NATO-n. Ne do të qëndrojmë në NATO”, është shprehur ai.
“Ne duam që NATO-ja të jetë më e fortë, ne duam që NATO-ja të jetë më e dukshme dhe e vetmja mënyrë që NATO-ja mund të bëhet më e fortë, më e dukshme, është nëse partnerët tanë, shtetet kombëtare që përbëjnë këtë aleancë të rëndësishme, kanë më shumë aftësi”, ka shtuar ai.
Pavarësisht këtyre fjalëve, aleatët evropianë dhe Kanadaja janë thellësisht të shqetësuara nga gatishmëria e Trumpit për t'u afruar me liderin rus, Vladimir Putin, i cili e sheh NATO-n si një kërcënim ndërsa SHBA-ja përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim në Ukrainë.
Vendosja e tarifave të reja globale nga Trumpi të mërkurën, të cilat do të prekin aleatët, kanë shtuar pasigurinë dhe shqetësimin.