Botë

Rusisë nuk i intereson kush i fiton zgjedhjet në SHBA

Vladimir Putin

Foto: AP

Foto: Associated Press

Zyrtarët e presidentit rus Vladimir Putin kanë thënë se nuk përbën ndonjë ndryshim për Moskën fituesi i zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Megjithatë, nga mënyra se si mbulohen zgjedhjet amerikane në median shtetërore të udhëhequr nga Kremlini, mund të arrihet në përfundimin se Donald Trumpi është shumë i favorizuar, raporton Reuters.

Programi i televizionit kryesor shtetëror “Channel One”, ka shfaqur një video të miliarderit, Elon Musk dhe prezantuesit të televizionit, Tucker Carlson duke e denigruar kandidaten demokrate, Kamala Harris përpara se ta afronte fokusin në atë që e quajti seri të gabimeve në performancë.

Tendenca e Harrisit për të qeshur, për të cilën Putini ka folur në mënyrë sarkastike muajin e kaluar, është shfaqur dukshëm në transmetime dhe televizioni shtetëror ka shfaqur përmbledhje të deklaratave më pak elokuente të saj gjatë fushatës.

Në kontrast, i njëjti raport i “Channel One” e ka portretizuar Trumpin dhe kandidatin republikan për zëvendëspresident, JD Vance si të sigurt dhe plot sens për gjithçka.

Kremlini thotë se zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është çështje ekskluzive për amerikanët dhe se do të punojë me këdo që zgjidhet.

E ka mohuar ndryshimin e mbulimit të zgjedhjeve, edhe pse disa ish-punonjës të medias shtetërore kanë folur publikisht për mbledhjet javore të Kremlinit, në të cilat jepen udhëzime për çështje të ndryshme.

Preferenca e dukshme e medias shtetërore për Trumpin, nuk është befasuese.

Trumpi ka qenë më pak i hapur për mbështetjen e Ukrainës në luftën kundër Rusisë, sesa presidenti në detyrë, Joe Biden ose Harrisi, duke i rritur shqetësimet e Kievit se mund ta humbasë aleatin kryesor, nëse Trumpi i fiton zgjedhjet.

Trumpi, i cili e ka lavdëruar Putinin gjatë viteve dhe është mburrur për marrëdhënien e mirë me të, javën e kaluar e ka fajësuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se ka ndihmuar në nisjen e luftës.

Këtë muaj, kandidati republikan për president ka mohuar t’i konfirmojë raportimet se ka biseduar me Putinin në disa raste që kur është larguar nga zyra në viti 2021, duke thënë: “Nëse e kam bërë, është gjë e mençur”.

Harrisi në kontrast e ka quajtur Putinin “diktator vrasës”, ka premtuar se do vazhdonte mbështetjen e Ukrainës dhe ka thënë se vdekja e politikanit të opozitës, Alexei Navalny ka qenë “shenjë tjetër e brutalitetit të Putinit”. Kremlini i ka mohuar akuzat për vrasjen e Navalnyt.

Televizionit shtetëror shpesh ka ftuar mysafirë në emisionet rreth bisedave gjeopolitike, të cilët shprehin preferencë për Trumpin, edhe nëse arsyet e tyre ndonjëherë ndryshojnë.

Andrei Sidorov, akademik i lartë në Universitetin Shtetëror të Moskës, në një deklarim për televizionit shtetëror këtë muaj, ka theksuar se Trumpi do të ishte më i mirë për Rusinë, sepse do të shkaktonte ndarjen - e cila mund të nxiste fantazi për rusët anti-perëndimorë - shpërbërjen e Shteteve të Bashkuara gjatë luftimeve të brendshme midis shteteve të saj përbërëse.

“Jam për Trumpin. Kam qenë gjithmonë për Trumpin – ai është shkatërrues. Nëse zgjidhet ... atëherë lufta civile do të jetë në agjendë”, ka thënë Sidorovi, duke shtuar se fitorja e demokratëve do ta vazhdonte të njëjtin problem si tani. “Por Trumpi mund të çojë vërtet në kolapsin e kundërshtarit tonë gjeopolitik, pa lëshuar asnjë raketë”.