Botë

Rusia u përgjigjet kërcënimeve të Trumpit: Asgjë e re, i pëlqejnë metodat e sanksioneve

Trump Putin

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia nuk sheh asgjë të re në kërcënimin e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur sanksione dhe tarifa të reja nëse nuk pranon t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“E dini, ne nuk shohim ndonjë element të ri këtu. Ju e dini se gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi më së shpeshti përdorte metoda sanksionesh. Atij i pëlqejnë këto metoda, të paktën i pëlqyen atëherë”, u tha Peskov gazetarëve të enjten, raporton Reuters.

Peskovi përsëriti se Rusia është e gatshme për dialog të barabartë me SHBA-në, me respekt të ndërsjellë.

“Rusia është e gatshme për dialog në kushte të barabarta me SHBA-në dhe pret sinjale nga Uashingtoni në këtë drejtim, por deri më tani nuk ka vërejtur asnjë”, theksoi Peskov.

Ai theksoi se Rusia po monitoron me shumë kujdes të gjithë retorikën e të gjitha deklaratat.

“Duke ndihmuar Ukrainën, SHBA-ja fiton para duke i shitur produktet e saj të shtrenjta energjetike evropianëve, duke mos i dhënë shumicën e parave, për shembull, satelitëve të saj. Rrit edhe ekonomikë dhe mundësinë e zhvillimit të teknologjisë. Pra, në çdo rast, është biznes shumë i suksesshëm”, shtoi Peskov.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë dje se nëse nuk ka marrëveshje për Ukrainën, do të vendosë më shumë taksa, tarifa dhe sanksione për gjithçka që Rusia u shet SHBA-së dhe vendeve të tjera.