Botë

Rusia thotë se ka rrëzuar katër raketa amerikane ATACMS mbi Krimenë

Raketat ATACMS

Raketat ATACMS

Foto: Associated Press

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë të shtunën se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar katër raketa me rreze të gjatë mbi gadishullin e Krimesë, të njohura si ATACMS, të cilat Washingtoni ia ka dërguar Ukrainës në javët e fundit.  

Ministria nuk ka dhënë detaje të tjera, raporton Reuters.

Të martën, zyrtarët rus kanë thënë po ashtu se Ukraina e ka sulmuar Krimenë me ATACMS në një përpjekje për të sulmuar mbrojtjen ajrore ruse të gadishullit të aneksuar, por se të gjashtë raketat ishin rrëzuar.

Një zyrtar amerikan ka thënë në Washington muaji e kaluar se SHBA-ja në mënyrë të fshehtë i ka dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjatë disa javë më parë.

Raketat ATACMS, me një rreze deri në 300km, janë përdorur për herë të parë në orët e para të 17 prillit, pasi Ukraina i kishte lëshuar kundër një fushe ajrore të Rusisë në Krime, që ndodhej rreth 165km nga linjat e para të Ukrainës, ka thënë zyrtari.

Pentagoni fillimisht e ka kundërshtuar dërgimin në Ukrainë të raketave me rreze të gjatë, me drojën se marrja e raketave nga stoku amerikan do të dëmtonte gatishmërinë ushtarake të SHBA-së.

Kishte po ashtu shqetësime se Ukrainë do t’i përdorte at kundër caqeve thellë në Rusi, një hap që do të qonte në një eskalim të luftës, drejt një konfrontimi të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së.

Rusia e ka aneksuar Krimenë nga Ukrainë në vitin 2014. Flota e saj e Detit të Zi është me bazë në këtë gadishull.

Të enjten, sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron ka premtuar 3,7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore për Ukrainën. Ndërkaq, në një takim të premten me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Cameron ka thënë se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike për ta sulmuar Rusinë.