Rusia vlerësohet ta ketë furnizuar Korenë e Veriut me më shumë se një milion fuçi naftë që nga marsi i këtij viti, sipas analizës së imazheve satelitore nga Qendra e Burimit të Hapur, një grup kërkimor jofitimprurës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Nafta është pagesa për armët dhe trupat që Pheniani ia ka dërguar Moskës për ta ndihmuar në luftën e saj në Ukrainë, kanë thënë për BBC ekspertët kryesorë dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.
Këto transferime shkelin sanksionet e OKB-së, të cilat i ndalojnë vendet t’i shesin naftë Koresë së Veriut, përveç në sasi të vogla, në një përpjekje për të dobësuar ekonominë e saj dhe për ta parandaluar atë nga zhvillimi i mëtejshëm i armëve bërthamore.
Koreja e Veriut është i vetmi vend në botë që nuk lejohet të blejë naftë në tregun e hapur. Numri i fuçive të naftës së rafinuar që mund të marrë është kufizuar nga Kombet e Bashkuara në 500 mijë në vit, shumë më pak se sasia që i nevojitet.
Ministria e Jashtme e Rusisë nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për koment.