Rusia ka vendosur 61 zyrtarë të tjerë amerikanë dhe drejtues kryesor të Mbrojtjes dhe mediave në “listën e ndalimit”, duke ua ndaluar hyrjen në Rusi, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.
Lista përfshin krerët e firmave kryesore të mbrojtjes, platformave mediatike, agjencive të vlerësimit dhe kompanive të ndërtimit të avionëve dhe anijeve, si dhe zyrtarë individualë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Ministria tha se sanksionet janë përgjigje e “sanksioneve të vazhdueshme të SHBA-së kundër figurave politike dhe publike ruse, si dhe përfaqësuesve të bizneseve vendase”, shkruan CNN-i të martën.
Zyrtarët amerikanë në listë përfshijnë sekretaren e Thesarit, Janet Yellen, përfaqësuesen e Tregtisë, Katherine Tai dhe shefin e Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve James O’Brien.
Në maj, Rusia ndaloi 963 zyrtarë të ndryshëm të hynin në vend, duke përfshirë presidentin Joe Biden dhe sekretarin e shtetit, Antony Blinken.
Kjo listë përfshinte shumicën e senatorëve amerikanë dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të qeverisë, gazetarë, personel ushtarak, avokatë, qytetarë dhe CEO.