Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia nuk ka qenë në dijeni të vendimit të SHBA-së për lejimin e përdorimit të armëve të saj nga Ukraina për sulme brenda territorit të Rusisë.
Por sipas tij Ukraina tashmë ka qenë duke i përdorur armët e SHBA-së për ta goditur Rusinë.
I pyetur për komentin e kryeministrit hungarez Viktor Orban se Evropa po përgatitet për luftë me Rusinë, Peskov u pajtua me vlerësimin, duke thënë se “ata po nxisin qëllimisht ndjenja pro-luftës dhe po përshkallëzojnë retorikën e paraluftës”. “Kjo ka një ndikim shumë negativ në situatë”, deklaroi Peskov në një konferencë për media të premten, raporton AP
Për deklarimet e Kinës se do të refuzojë konferencën e paqes në Ukrainë, e cila do të organizohet nga Zvicra muajin e ardhshëm, Peskov u përgjigj se Rusia mbështet pikëpamjen e Kinës se është e pamundur të negociohet paqja pa Rusinë.