Botë

Rusia pretendon se rrëzoi disa raketa ukrainase të lansuara në Belgorod e Krime

Zyrtarët rusë thonë se është ndaluar një sulm ukrainas në qytetin kufitar Belgorod, ndërsa lufta ajrore mes dy vendeve është intensifikuar, raporton “BBC”.

Zyrtarët thonë se dhjetëra raketa janë rrëzuar para se ato ta arrinin qytetin rus Belgorod, ku 25 persona humbën jetën në një sulm të shtunën.

Ukraina nuk ka komentuar pretendimet e fundit.

Sulmet erdhën pasi Rusia lansoi bombardimet më të mëdha ajrore që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se Rusia ka përdorur rreth 300 raketa e 200 dronë në pesë ditët e fundit.

Intensifikimi i sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë nisi javën e kaluar. Forcat ukrainase reaguan duke sulmuar të shtunën Belgorodin ku pos 25 të vdekurve u lënduan edhe mbi 100 persona.

Në adresimin e të martës, Zelensky ka thënë se Rusia “ka lansuar gati 100 raketa të llojeve të ndryshme”.

Sipas Zelenskyt, 10 raketa balistike hipersonike janë rrëzuar vetëm të martën.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë të mërkurën se sulmet e të martës – përfshirë në qytetet më të mëdha ukrainase Kharkiv e Kiev – kanë vrarë apo lënduar të paktën 130 persona.

Ndërkohë, një person ka humbur jetën e pesë janë lënduar në Belgorod të martën, është thënë nga kryetari i këtij qyteti. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se sistemi rus i mbrojtjes ajrore ka rrëzuar 12 raketa të lansuara gjatë natës.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Sevastopol, qytetin më të madh në Krimenë e okupuar nga Rusia. Autortetet ruse kanë thënë se është rrëzuar një raketë mbi port.

Nuk është raportuar për viktima apo dëme.