Botë

Rusia pretendon se ka pushtuar 5 fshatra në verilindje të Ukrainës

Rusia

Forcat e Moskës pushtuan  pesë fshatra në një sulm të përsëritur tokësor në verilindje të Ukrainës,  ka njoftuar Ministria ruse e Mbrojtjes të shtunën dhe gazetarët e Associated Press në qytetin Vovchansk përshkruan shumë ndërtesa të shkatërruara pas sulmeve ajrore ruse dhe breshërive të raketave Grad.

Zyrtarët ukrainas nuk konfirmuan nëse rusët kishin marrë fshatrat, të cilët shtrihen në një “zonë gri” të kontestuar në kufirin e rajonit të Kharkiv të Ukrainës dhe Rusisë.

Gazetarët ukrainas raportuan se fshatrat Borysivka, Ohirtseve, Pylna dhe Strilecha u pushtuan nga trupat ruse të premten. Moska zyrtare ka njoftuar se fshati Pletenivka u mor gjithashtu.

Në një deklaratë në mbrëmjen e së shtunës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se luftimet ishin ende në vazhdim në vendbanimet Strilecha dhe Pletenivka, si dhe Krasne, Morokhovets, Oliinykove, Lukyantsi dhe Hatyshche.

Sulmi i ri në rajon ka detyruar më shumë se 1700 civilë që banojnë në vendbanimet pranë luftimeve të ikin, sipas autoriteteve ukrainase. Ai vjen pasi Rusia shtoi sulmet në mars duke synuar infrastrukturën energjetike dhe vendbanimet, të cilat analistët parashikuan se ishin një përpjekje e bashkërenduar e Moskës për të krijuar kushte për një ofensivë.

Të shtunën, Rusia vazhdoi të godasë Vovchanskun me sulme ajrore dhe raketa Grad ndërsa policia dhe vullnetarët u përpoqën t’i evakuojnë banorët. Të paktën 20 persona u evakuuan në një fshat aty pranë. Policia bëri të ditur se 900 persona ishin evakuuar një ditë më parë, raporton Associated Press.