Botë

Rusia pranon se përdori rekrutë në pushtimin e Ukrainës

Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka pranuar se disa rekrutë - personat që sapo janë thirrur për të kryer shërbimin ushtarak sipas ligjit që i detyron - po marrin pjesë në pushtimin rus të Ukrainës.

Në Rusi, të gjithë meshkujt e moshës 18-27 vjeç duhet të kryejnë shërbimin ushtarak për një vit, megjithëse ka disa përjashtime, raporton BBC-ja të mërkurën.

Kjo erdhi vetëm pak ditë pasi presidenti Vladimir Putin mohoi se rekrutët ishin përfshirë në Ukrainë, duke thënë se vetëm ushtarë profesionistë po dërgoheshin në zonat e luftës.

Ministria e Mbrojtjes tha se disa rekrutë ishin kapur robë nga forcat ukrainase.

“Fatkeqësisht, ne kemi zbuluar disa fakte të pranisë së rekrutëve në njësitë që marrin pjesë në operacionin ushtarak special në Ukrainë”, tha ministria ruse e Mbrojtjes.

"Praktikisht të gjithë ushtarët e tillë janë tërhequr", shtoi ai, duke premtuar se do të parandalonte një përsëritje të situatës.