Snajperisti ukrainas, Oleksander Matsievsky, është kapur nga trupat ruse në vitin e parë të agresionit, e muaj më vonë u shfaq një video ku shihej duke pirë cigaren e fundit në pyll, pranë një varri që thuhet se ishte detyruar ta gërmonte.
“Lavdi Ukrainës”, u dëgjua teksa bërtiti, e pak çaste më vonë u dëgjuan të shtënat dhe ra i vdekur. Ekzekutimi i tij është një prej shumë të tjerëve, ka raportuar BBC-ja.
Në tetor të këtij viti, nëntë ushtarë të kapur ukrainase u qëlluan për vdekje nga forcat ruse në rajonin e Kurskut. Zyrtarët ukrainas po e hetojnë rastin, duke përfshirë pamje të trupave gjysmë të zhveshur të shtrirë përtokë.
Kanë mjaftuar këto pamje të dronëve që ai të identifikohej nga familjarët.
“Unë e njoha atë nga të brendshmet”, ka deklaruar nëna e tij.
Lista e ekzekutimeve nga ana e rusëve vazhdon. Thuhet se është shfrytëzuar një shpatë për t'i hequr kokën një ushtari ukrainas, i lidhur me duart pas shpine. Vrasjet e tilla të filmuara zakonisht ndodhin në pyje ose fusha që s'mund të dallohen lehtë, e kjo i bën lokacionet zor të verifikueshme.
Autoritetet ukrainase thonë se të paktën 147 të burgosur ukrainas janë ekzekutuar nga forcat ruse qëkur ka nisur agresioni rus. 127 prej tyre janë ekzekutuar sivjet.
Tendenca është në rritje dhe është shumë e dukshme. Ekzekutimet u bënë sistematike nga nëntori i vitit të kaluar dhe kanë vazhduar edhe sivjet. Fatkeqësisht, numri i tyre, sidomos në këtë verë dhe vjeshtë, është rritur. Kjo na tregon se ato s'janë më raste të izoluara.
Ato po ndodhin në zona të gjera dhe kanë shenja të qarta për të qenë pjesë e një politike - ka prova që këto po urdhërohen, ka deklaruar Yuri Belousov, udhëheqës i Departamentit të Luftës në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.
E drejta humanitare ndërkombëtare, veçanërisht Konventa e Tretë e Gjenevës, ofron mbrojtje për të burgosurit e luftës dhe ekzekutimi i tyre konsiderohet krime lufte. Pavarësisht kësaj, lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i ka urdhëruar komandantët e tij në luftë që të mos marrin robër.
Rachel Denber, zëvendësdrejtoreshë e Divizionit të Evropës dhe Azisë Qendrore të organizatës Human Rights Ëatch, ka thënë se s'ka mungesë të provave që mbështetin pretendimet se të burgosurit e luftës janë ekzekutuar nga trupat ruse. Sipas saj, mosndëshkimi luan krucial dhe ushtria ruse duhet të përgjigjet në disa pyetje serioze.
“Çfarë udhëzimesh kanë këto njësi, qoftë formalisht apo joformal nga komandantët e tyre? A janë komandantët e tyre mjaftueshëm të qartë se çfarë thonë Konventat e Gjenevës për trajtimin e robërve të luftës? Çka po u tregojnë komandantët rusë njësive të tyre? Çfarë hapa po ndërmerr zinxhiri komandues për t’i hetuar këto raste dhe nëse organet më të larta s’po hetojnë, a janë të vetëdijshëm se edhe ata janë përgjegjës penalisht dhe mund të mbahen përgjegjës”, ka pyetur Denber.
Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, forcat e ushtrisë ruse “gjithmonë i kanë trajtuar të burgosurit ukraians në përputhje të rreptë me dokumentet ligjore ndërkombëtare dhe konventat”.
Në anën tjetër, edhe ushtria e Volodymyr Zelensky është akuzuar se ka ekzekutuar robër të luftës, por numri i pretendimeve ka qenë më i vogël. Yuri Belousov ka thënë se po i trajtojnë shumë seriozisht këto akuza dhe po i heton, por ende s'ka asnjë të akuzuar.
Rusia akuzohet për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit. Ka akuza dhe hetime për kidnapim të fëmijëve ukrainas dhe “rusifikim” të tyre, nëpërmjet ndërrimit të identiteteve të tyre.