Rusia ka dërguar naftë të rafinuar në Korenë e Veriut në nivelet që janë në kundërshtim me vendimet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka thënë të enjten një zyrtar amerikan, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë sanksione të reja si përgjigje, raporton agjencia “Reuters”.
Njoftimi erdhi menjëherë pas shpërbërjes së panelit të ekspertëve të OKB-së për sanksionet kundër Koresë së Veriut për armët e saj bërthamore, pas vënies së vetos nga Rusia.
“Në të njëjtën kohë që Moska vuri veton ndaj rinovimit të mandatit të panelit, Rusia ka dërguar naftë të rafinuar nga porti Vostochny për në Korenë e Veriut. Dërgesat ruse të naftës së rafinuar kanë kaluar kufirin vjetor prej 500 fuçive të lejuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, ka thënë zyrtari amerikan për Reuters, duke folur në kushte anonimiteti.
Zyrtari ka thënë se vetëm në muajin mars, Rusia ka dërguar më shumë se 165 mijë fuçi naftë të rafinuar në Korenë e Veriut.
Rusia bllokoi rinovimin vjetor të panelit të ekspertëve në fund të marsit, në atë që zyrtari amerikan e ka përshkruar si lëvizje të llogaritur nga Moska për të fshehur shkeljet e saj të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Zyrtari ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të vendosin sanksione kundër atyre që punojnë për të lehtësuar transferimet e armëve dhe të naftës së rafinuar midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut e ka ndihmuar Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës duke e furnizuar me raketa balistike.