Botë

Rusia po avancon më shpejt në Ukrainë tani sesa në fillim të luftës

Rusi-Ukrainë

Foto: Arkiv, AP

Forcat ruse po avancojnë në Ukrainë me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të luftës në vitin 2022, duke pushtuar një zonë sa gjysma e madhësisë së Londrës gjatë muajit të fundit, thonë analistët dhe blogerët e luftës.

Lufta po kalon në atë që shumë zyrtarë rusë dhe perëndimorë e cilësojnë si fazën më të rrezikshme, pasi forcat ruse kanë bërë disa nga fitimet më të mëdha territoriale dhe Shtetet e Bashkuara ia kanë lejuar Kievit përdorimin e raketave amerikane për të goditur thellë në territorin e Rusisë, raporton Reuters.

“Rusia ka vendosur rekorde të reja javore dhe mujore sa i përket madhësisë së territorit të pushtuar ukrainas”, ka thënë grupi i pavarur rus i lajmeve “Agentstvo” në një raport.

Ushtria ruse ka pushtuar gati 235 kilometra katrorë në Ukrainë gjatë javës së fundit, rekord javor për vitin 2024, sipas raportit.

Forcat ruse kanë fituar 600 kilometra katrorë në nëntor, duke cituar të dhëna nga DeepState, një grup me lidhje të ngushta me ushtrinë ukrainase, i cili studion pamjet e betejës dhe krijon harta të vijës së frontit.

Rusia ka filluar të avancojë shpejt në Ukrainën lindore në korrik, pak pasi forcat ukrainase kanë filluar sulmin në rajonin perëndimor rus, Kursk. Që atëherë, avancimet ruse janë përshkallëzuar, sipas hartave.

Forcat ruse po lëvizin në qytetin Kurakhove, një hap më afër qendrës logjistike Pokrovsk në Donetsk, dhe kanë shfrytëzuar dobësitë e trupave të Kievit përgjatë vijës së frontit, kanë thënë analistët.

“Forcat ruse së fundmi kanë qenë duke avancuar me ritëm më të shpejtë, sesa ritmi i vitit 2023”, thuhet në raportin e Institutit të Washingtonit për Studimin e Luftës.

Sipas përditësimit të së hënës të Stafit të përgjithshëm të forcave të armatosura ukrainase 45 beteja me intensitet të ndryshëm po ndodhnin në vijën e frontit në Kurakhove atë mbrëmje.

“Avancimet e forcave ruse në Ukrainën juglindor janë rezultat i zbulimit dhe shfrytëzimit taktik të dobësive në linjat e Ukrainës”, kanë thënë analistët e Institutit në raportin e tyre.

Rusia thotë se do t’i arrijë të gjitha synimet në Ukrainë, pavarësisht se çfarë thotë ose bën Perëndimi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vazhdimisht ka thënë se paqja nuk mund të arrihet derisa të gjitha forcat ruse të largohen dhe territori i pushtuar nga Moska, duke e përfshirë Krimenë e aneksuar.

Por, me forcat ruse më të shumta në numër, ushtria ukrainase po lufton të rekrutojë ushtarë dhe të sigurojë pajisje për njësitë e reja.

Zelensky ka thënë që beson se objektivat kryesore të presidentit rus, Vladimir Putin janë ta pushtojë tërë Donbasin, duke përshirë rajonet Donetsk dhe Luhansk, dhe t’i largojë trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut, pjesë të së cilit janë kontrolluar nga ukrainasit që nga gushti.